Zyrtarë të partive që deri tash ishin në opozitë i kanë reaguar Glauk Konjufcës së Lëvizjes Vetëvendosje për shprehjen “tokë të zezë” në një tubim në Ferizaj. Videot e publikuara shfaqin Konjufcën teksa i drejtohet një qytetari të ri me fjalët “tokë të zezë kena me i ba”, pasi i riu i thotë se “shpresojmë se do t’i palojmë këta…”.
Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se populli është ngopur me gjuhë kërcënuese e përçarëse.
“‘Tokë të zezë kemi me i ba’, paska thënë Glauku. E kënd saktësisht? Qytetarët që nuk i votojnë? Institucionet që nuk u nënshtrohen? Kë do ta bëjë shkrumb e hi VV-ja? Ky vend dhe ky popull janë ngopur me gjuhë kërcënuese, fyese, përçarëse dhe përjashtuese. Janë ngopur me retorikë që ushqen frikë dhe urrejtje, në vend të shpresës dhe zgjidhjeve. Boll më. Nëse nuk keni rezultate për të treguar, së paku mos e ndotni edhe më tej diskursin publik. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, respekt dhe qeverisje, jo për kërcënime e arrogancë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Edhe Hykmete Bajrami e LDK-së i ka reaguar Konjufcës duke ia kujtuar thirrjet e mëhershme për koalicion që VV-ja ia bënte partisë së saj.
“Glauku i paska thanë një qytetari ”kemi me i ba tokë të zezë”, duke ju referuar partive ish opozitare. Kaq për fjalorin e filozofit i cili para disa ditëve tha se kemi reflektu. Glauk, as s’mundesh me na ba ”tokë të zezë” as nuk mundesh me tërheqë vëmendjen nga skandalet e whats app-it. Po dije një gjë: atyre që don me i ba tokë të zezë, nuk ju dërgon letra për bashkëpunim. Unë megjithatë nuk ju uroj juve që të bëheni ”tokë e zezë”, sepse pas 28 dhjetorit ju do të jeni opozita, e opozita i duhet qeverisë dhe vendit”, ka shkruar ajo në Facebook.