OVL UÇK: Për pesë vite ky pushtet me Listën Serbe la veteranët pa pension meritor, sot s’u bë asnjë aktivitet
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka bërë një reagim me rastin e ditës së sotme që njihet si Dita e Veteranëve të UÇK-së, duke bërë thirrje për “reflektim shtetëror, respekt institucional dhe përulje ndaj sakrificës së atyre që e sollën lirinë”.
Në reagimin e publikuar në Facebook, OVL UÇK deklaron se “për pesë vite me radhë, ky pushtet e la luftëtarin e UÇK-së pa pension meritor, duke e nënçmuar dinjitetin e atij që rrezikoi jetën për liri. Kjo u bë me vetëdije dhe me hile politike, në bashkëpunim me Listën Serbe”, thuhet në reagim.
“U toleruan deklarata fyese, përçmuese dhe linçuese ndaj veteranëve të UÇK-së”, vijon reagimi.
“U lejua që luftëtarët të etiketohen, të poshtërohen dhe të trajtohen si barrë, pa asnjë mbrojtje shtetërore.
Madje, u tha publikisht se “më mirë të paguheshin mercenarët, sesa ata që e çliruan vendin”.
Kjo është një politikë e ftohtë, e qëllimshme dhe e organizuar kundër UÇK-së.
Sot, përveçse që nuk u trajtuan me dinjitet për vite me radhë, veteranët nuk u kujtuan as simbolikisht.
Asnjë aktivitet shtetëror, asnjë vizitë te varret e dëshmorëve nga institucionet.
Kjo heshtje është qëndrim politik.
Dhe ky qëndrim tregon se, fatkeqësisht, shteti po përpiqet të shkëputet nga lufta që e solli në jetë”, vlerëson OVL UÇK.
Si përfundim OVL UÇK ua rikujton institucioneve: “Kosova nuk ka lindur nga neutraliteti,as nga administrata,as nga konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të UÇK-së”, thuhet në reagim.
Reagimi: