Për herë të parë në Maqedoni: Kryhet operacion me sistem navigimi për vendosjen e protezës totale të ijeve (FOTO)
Sot, në Klinikën për TOARILUC në Shkup, për herë të parë në Maqedoni është kryer një operacion me sistem navigimi për vendosjen e protezës totale të ijeve. Operacioni u realizua nga dr. Makridis Konstantos nga Greqia, dr. Igor Merdzhanoski, drejtor i TOARILUC-it, dr. Durim Asani, drejtor i Ortopedisë, si dhe ekipi i klinikës.

Gjatë ndërhyrjes u përdor navigacion kompjuterik, i cili mundëson vendosje precize të protezës me vizualizim 3D të ijeve në kohë reale. Krahas kirurgëve, edhe mjekë dhe personel ndihmës po trajnohen për përdorimin e sistemit navigues, çka do të mundësojë zbatim më të gjerë të kësaj teknologjie në të ardhmen.

Sot janë planifikuar edhe tri operacione për vendosjen e protezave të gjunjëve me sistem navigimi, ku në një rast do të zëvendësohen të dy gjunjët njëkohësisht – një ndërhyrje e rrallë dhe komplekse te pacientët me artrozë bilaterale (gonartrozë) të gjunjëve.

Përfitimet për pacientët, sipas mjekëve, janë funksionalitet më i mirë i nyjeve, stabilitet më i madh dhe jetëgjatësi më e gjatë e protezave, rrezik i reduktuar i komplikimeve, si dhe rikuperim më i shpejtë dhe kthim më i hershëm në aktivitetet e përditshme.

Me këtë ndërhyrje, Klinika për TOARILUC pozicionohet si qendër udhëheqëse në Republikën e Maqedonisë për standardet më bashkëkohore botërore në kirurgjinë e ijeve dhe të gjunjëve.