Bisedimet mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të presidentit amerikan Steve Witkoff e këshilltarit për politikë të jashtme Jared Kushner kanë përfunduar.

BBC-ja duke i cituar mediat ruse ka raportuar se takimi ka zgjatur rreth pesë orë.

Pas takimit këshilltari për politikë të jashtme i Putinit, Kirill Dmitriev, i cili ka qenë pjesë e takimit i ka përshkruar bisedimet si “produktive”.

Sipas mediave ruse, i dërguari amerikan Steve Witkoff, menjëherë pas takimit është larguar për në ambasadën e SHBA-së në Moskë.

Ndërsa këshilltari tjetër politik i Putinit, Yuri Ushakov, që gjithashtu ishte pjesë e takimit ka thënë se bisedimet kanë qenë “konstruktive, shumë të dobishme dhe përmbajtjesore”.

Putini takohet me të dërguarit e Trumpit pasi tha se është i gatshëm të luftojë me Evropën

Ka nisur të martën në mbrëmje në Moskë takimi mes presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me një delegacion të SHBA-së lidhur me fundin e luftës në Ukrainë.

Delegacionin e SHBA-së po e udhëheq i dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, teksa atë po e shoqëron edhe dhëndrri i presidentit, Jared Kushner.

Pak para takimit, Putini ka deklaruar për gazetarët në një ngjarje në Moskë, se Evropa po pengon përpjekjet për paqe me kërkesa, për të cilat ka deklaruar se janë të papranueshme për Rusinë.

Ai po ashtu ka thënë se Rusia nuk do luftë, por nëse Evropa do, atëherë edhe Rusia është e gatshme.

“Ata janë në anën e luftës. Edhe kur përpiqen gjoja të bëjnë disa ndryshime në propozimin e Trumpit, ne e shohim qartë se çfarë po bëjnë, të gjitha këto ndryshime synojnë vetëm një gjë, të bllokojnë plotësisht të gjithë procesin e paqes duke paraqitur kërkesa që janë absolutisht të papranueshme për Rusinë. Ata e kuptojnë këtë. Duke vepruar kështu, ata synojnë të fajësojnë Rusinë për pengimin e këtij procesi të paqes. Ky është qëllimi i tyre. Ne e shohim qartë këtë”, ka deklaruar Putin.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se disa gjëra “duhet të përpunohen” në draftin e planit të paqes, por se “tani më shumë se kurrë, ekziston një shans për t’i dhënë fund kësaj lufte”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com