Policia konfirmon se çka e shkaktoi aksidentin e Anthony Joshua, ku mbetën të vdekur dy shokët e tij
Boksieri i njohur Anthony Joshua do të qëndrojë i shtruar në spital në Nigeri gjatë periudhës së Vitit të Ri, ndërsa autoritetet policore kanë konfirmuar se aksidenti fatal ku humbën jetën dy miq të tij të ngushtë u shkaktua nga plasja e një gome.
Ish-kampioni i peshave të rënda ndodhej si pasagjer në një SUV Lexus, i cili të hënën u përplas me pjesën e pasme të një automjeti të ndalur në autostradën Lagos–Ibadan, në zonën Makun të Nigerisë.
Joshua u nxor nga rrënojat dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme, ndërsa dy pasagjerë të tjerë, miqtë e tij dhe anëtarë të stafit stërvitor Sina Ghami dhe Kevin Latif Ayodele, humbën jetën në vendngjarje.
Pas aksidentit, Joshua u transferua në një nga spitalet më të mira të vendit, “Duchess International Hospital” në Lagos.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, ai pritet të qëndrojë aty për “të paktën edhe disa ditë” ndërsa vazhdon rikuperimin. Pamjet dhe videot nga vendi i ngjarjes treguan shkallën e rëndë të aksidentit, me Lexusin e zi të shkatërruar plotësisht.
Komandanti i policisë Babatunde Akinbiyi nga Njësia e Trafikut dhe Zbatimit të Rregullave (TRACE) bëri të ditur se hetimet paraprake tregojnë se automjeti po udhëtonte nga Lagos drejt Sagamu kur “pësoi shpërthim të gomës për shkak të shpejtësisë së lartë” dhe më pas humbi kontrollin.
Joshua ishte ulur në sediljen e pasme të makinës, pas shoferit, i cili gjithashtu i mbijetoi aksidentit.
Komisioneri i Policisë së Shtetit Ogun, Lanre Ogunlowo, deklaroi se boksieri është në gjendje stabile dhe nuk pritet të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Në spital pranë tij ka mbërritur edhe nëna e tij, Yeta Odusanya.
Ndërkohë, xhaxhai i Joshuas, Adedamola Joshua, foli për stresin që familja e gjerë ka përjetuar në përpjekjet për të marrë informacion pas ngjarjes.
“Që nga momenti i incidentit kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për ta parë djalin tonë, por kjo ka qenë e pamundur për shkak të statusit të tij; nuk dinim as në cilin spital ishte dërguar,” u shpreh ai. “Megjithatë, kemi qenë në kontakt me prindërit e tij, të cilët na kanë siguruar se Joshua është mire”, tha ai.
Ndërkohë, homazhet vazhdojnë për Ayodele dhe Ghami, të cilët për më shumë se një dekadë punuan ngushtë me Joshuan dhe konsideroheshin pjesë kyçe e ekipit të tij të bashkuar dhe të suksesshëm.
Vetëm pak orë para aksidentit, Joshua kishte publikuar në rrjetet sociale një video ku shfaqej duke luajtur pingpong me Ayodele, i njohur nga miqtë e afërt me nofkën “Latz”.