Prindërit e viktimave nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan sot për herët të 34-të me dolën në “Marshin për Engjëjt”. Duke ecur përgjatë rutës tashmë të njohur, nga “Parku i Revolucionit” deri te ndërtesa e gjykatës dhe prokurorisë në Shkup, ata u ndalën për një moment për të dërguar mesazhet e tyre, duke theksuar se nuk janë të kënaqur me mënyrën se si autoritetet po e drejtojnë procedurën për të zbuluar të vërtetën për tragjedinë, transmeton “360 gradë”.
Duke iu drejtuar publikut, ata kërkuan zgjerimin e hetimit, përcaktimin e përgjegjësisë individuale dhe një shpjegim publik nga autoritetet se pse disa persona deri më tani nuk janë përfshirë në procedurë.
Ata gjithashtu komentuan për dorëheqjen e tashmë kryeprokurorit Lupço Kocevski, dhe dërguan mesazh për personin që do ta zëvendësojë, duke kërkuar që të rishikohet e gjithë lënda nga fillimi dhe, siç thanë, “të përcaktohet kush e dinte, kush e lejoi, kush heshti dhe kush nuk veproi”.
Aleksandar Naunov, babai i një vajze të ndjerë në “Puls”, tha se janë të zemëruar sepse, siç tha, ka disa persona të tjerë për të cilët publikisht, dhe ata si familje, dinë me të drejtë se kanë përgjegjësi, por që as nuk janë të dyshuar, as nuk janë pjesë e një hetimi transparent.
“Fëmijët tanë nuk janë një numër. Ata kanë emra. Kanë histori. Kanë familje që do t’i presin përgjithmonë. Ky marsh është një mesazh, se ne jemi këtu, se kujtojmë, dhe se nuk do të lejojmë që e vërteta të varroset së bashku me fëmijët tanë”, tha Naunov para stacionit të Policisë në Koçan.
Para ndërtesës së Gjykatës dhe Prokurorisë në Koçan, foli edhe Verica Trifunova, nëna e Monika Spasovës, e cila foli për dorëheqjen e Kocevski-t, veprim ky për të cilën tha se ishte i vonuar, si dhe se ish-kryeprokurori nuk tregoi vullnet për të hapur rastin që nga dita e tragjedisë.
“Prokurori shtetëror Kocevski dorëzoi një dorëheqje të parevokueshme. Një dorëheqje që erdhi shumë vonë. Sepse nuk pati guxim dhe vullnet të hapte çështjen vetë që nga dita e tragjedisë. Në vend të një hetimi të vërtetë, ai kërkoi informacione nga MPB-ja, dhe procedurat që pasuan ishin të drejtuara ndaj personave që tashmë ishin të dyshuar që nga viti 2024 dhe më parë, ndërkohë që bartësit e vërtetë të fuqisë dhe përgjegjësisë mbetën të mbrojtur”, tha ajo.
Sipas saj, duke ndjekur procedurë kundër “disa funksionarëve të vegjël deri tani” është krijuar një perceptim i drejtësisë, me qëllim, siç tha, të mbulohet e gjithë çështja dhe të shmanget përgjegjësia direkte individuale dhe institucionale.
“Ne, prindërit e fëmijëve të vrarë, sot publikisht dhe me zë të lartë po themi – kjo nuk është drejtësi dhe këtë nuk do ta pranojmë”, tha Trifunova.
Ajo dërgoi një mesazh për prokurorin e ri shtetëror, që duhet të zgjidhet, për të rishikuar tërë rastin që nga fillimi dhe për të vendosur në bankën e të akuzuarve çdo person që ka kontribuar drejtpërdrejt ose indirekt në tragjedinë ku humbën jetën fëmijët e tyre.
“Dërgojmë mesazh dhe detyrë të qartë për prokurorin e ri shtetëror – të rishikohet e gjithë lënda nga fillimi, të përcaktohet kush e dinte, kush e lejoi, kush heshti dhe kush nuk veproi. Dhe në bankën e të akuzuarve të ulet çdo person që drejtpërdrejt ose indirekt kontribuoi në vrasjen e fëmijëve tanë”, tha ajo.
Ndryshe, për rastin “Puls” po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj 35 individëve dhe 3 personave juridikë. Gjyqi filloi më 19 nëntor dhe aktualisht është në fazën e fjalimeve hyrëse. Gjyqi pritet të vazhdojë më 25 dhjetor, kur fjalë hyrëse do të japin pronari i agjencisë së sigurisë “Rubicon Security Solutions”, Aleksandar Nacev, dhe përfaqësuesit e tre kompanive, pas së cilës pritet të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.