Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka iniciuar procedurë penale ndaj një personi për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “heqje dhe dëmtim i vulës ose shenjës zyrtare”, sipas nenit 389 paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas informacioneve nga Prokuroria, i dyshuari është pronar dhe menaxher i objektit hotelier “Juzhna Pruga” në Shkup, ndaj të cilit më herët ishte shqiptuar masë ndalese për ushtrimin e veprimtarisë. Ndalimi ishte vendosur me vendim të një inspektori të autorizuar të mjedisit nga Komuna Aerodrom dhe ishte i afishuar publikisht në derën hyrëse të objektit.
Pavarësisht kësaj, i dyshuari e ka hequr vendimin, ndërsa gjatë një kontrolli të mëvonshëm inspektues është konstatuar se objekti ka vazhduar të punojë dhe se brenda kishte mysafirë, edhe pse veprimtaria ishte zyrtarisht e ndaluar.
Nga Prokuroria theksojnë se me këtë veprim, i dyshuari ka vazhduar me vetëdije ushtrimin e veprimtarisë hoteliere pa i plotësuar kushtet ligjore, duke treguar mosrespektim të akteve zyrtare dhe duke cenuar drejtpërdrejt funksionin zyrtar të vendimit të lëshuar. Me këtë, sipas Prokurorisë, është penguar edhe funksionimi normal i institucioneve shtetërore dhe publike.
Për shkak të dyshimit të bazuar se me heqjen e shenjës zyrtare është përmbushur elementi i veprës penale, prokurori publik ka kërkuar nga gjykata kompetente shqiptimin e masës së kujdesit gjatë procedurës penale. Konkretisht, është propozuar ndalim i ushtrimit të veprimtarisë për ofrimin e shërbimeve hoteliere, si dhe zbatimi i plotë i vendimit të marrë nga shërbimet inspektuese kompetente.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com