Sot u nënshkrua vazhdimi i marrëveshjes së partneritetit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS) për remediacionin e deponisë së vogël të kontaminuar me lindan, e vendosur në ish-fabrikën OHIS në Shkup. Me këtë marrëveshje rikonfirmohet përkushtimi i përbashkët i institucioneve kombëtare dhe partnerëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e një prej pikave më komplekse ekologjike në vend.

Vazhdimi i marrëveshjes siguron mjete shtesë financiare në vlerë prej 12 milionë eurosh, të siguruara nga Qeveria përmes Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, dhe përcakton një periudhë zbatimi prej 3 vitesh, gjatë së cilës pritet të përfundojnë të gjitha punimet e mbetura në terren dhe të realizohet plotësisht remediacioni i deponisë së vogël.

Ndërhyrja e vazhdueshme do të mundësojë largimin dhe menaxhimin e sigurt të mbetjeve të rrezikshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare mjedisore dhe të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke ulur ndjeshëm rreziqet për shëndetin publik dhe mjedisin për komunitetet përreth.


“Vazhdimi i marrëveshjes pasqyron forcën e partneritetit tonë dhe vendosmërinë e përbashkët për ta mbyllur përfundimisht këtë çështje mjedisore shumëvjeçare,” deklaroi Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë. “Duke kombinuar udhëheqjen kombëtare me ekspertizën ndërkombëtare, krijojmë kushte për një proces remediacioni të sigurt, të thelluar dhe të qëndrueshëm.”

Remediacioni i deponisë së vogël në lokacionin OHIS, e cila përbëhet nga 5 basene betoni, ka filluar në vitin 2021. Deri më tani janë nxjerrë dhe djegur 1.969 tonë mbetje HCH dhe 586 tonë tokë të kontaminuar, rreth 60 për qind e pastrimit të planifikuar. Aktivitetet e deritanishme janë realizuar me financim të kombinuar nga Qeveria, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Norvegjisë, çka përbën një hap të rëndësishëm në përballjen me ndotjen e trashëguar në këtë lokacion.

Vazhdimi i partneritetit të nënshkruar sot pritet të mundësojë përfundimin e plotë të punimeve për remediacionin e deponisë së vogël. Aktivitetet e remediacionit parashikojnë nxjerrjen, paketimin, magazinimin e përkohshëm, transportin dhe largimin e mbetjeve HCH dhe tokës së kontaminuar, si dhe djegien e tyre.

“Ndotja komplekse e trashëguar nuk mund të zgjidhet nga një institucion i vetëm,” deklaroi Mikela Tellatin, drejtoreshë e Zyrës Multishtetërore të UNOPS-it për Evropën Juglindore. “Ky projekt tregon se si partneriteti, besimi dhe rolet e përcaktuara qartë mund të sjellin përfitime konkrete mjedisore dhe shëndetësore për komunitetet, duke siguruar njëkohësisht që remediacioni të zbatohet në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme.”

Vazhdimi i marrëveshjes konfirmon përkushtimin e vazhdueshëm të partnerëve për përballjen me ndotjen industriale historike dhe përmirësimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjedisit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht, krijohen parakushtet për nisjen e punimeve të remediacionit edhe në deponinë më të madhe të kontaminuar me lindan në lokacionin e ish-fabrikës OHIS.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com