Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe krimit të rëndë pranë Byrosë për Siguri Publike në MPB (Njësia nacionale për luftimin e kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit me njerëz), sot (24.12) ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) kundër pesë personave nga Tetova, për shkak të dyshimit të bazuar për vepra të kryera penale:
F.M. (25): Për veprën penale „Trafikim me fëmijë“ (neni 418-g paragrafi 1 dhe 2). I.D. (56), A.S. (30) dhe L.S. (28): Për veprën penale „Trafikim me fëmijë“ (neni 418-g paragrafi 3). R.M. (31): Për veprën penale „Sulm seksual dhe përdhunim“ (neni 186, paragrafi 1 dhe 2) nga Kodi Penal i RMV-së.
Sipas njohurive të dokumentuara nga hetimi, i denoncuari i parë F.M., në periudhën nga maji i vitit 2023 deri në fund të vitit 2024, duke e mashtruar viktimën (fëmijë – në atë kohë 15 vjeçare) se do të fillonin një lidhje dashurie, përmes kërcënimeve serioze dhe shantazhit e ka detyruar viktimën të përdorë narkotikë dhe ta shfrytëzojë seksualisht.
Me qëllim të përfitimit të paligjshëm pasuror, F.M., në marrëveshje paraprake me të denoncuarit I.D., A.S. dhe L.S., si dhe me përfshirjen e personave të tjerë të panjohur, ka mundësuar kryerjen e akteve seksuale ndaj fëmijës-viktimë në disa lokacione në territorin e Tetovës.
I denoncuari i pestë, R.M., i cili sipas marrëveshjes me F.M. ishte personi i ngarkuar për “sigurinë” e fëmijës, ka keqpërdorur rolin e tij dhe me forcë, kundër vullnetit të fëmijës, ka kryer marrëdhënie seksuale me të.
Në bazë të urdhrave të lëshuar nga Gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, janë kryer kontrolle në katër lokacione në Tetovë. Gjatë bastisjeve:
Janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht celularë dhe karta SIM.
Të pesë personat e denoncuar janë privuar nga liria.

