Real Madridi ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër të Kupës së Mbretit, pasi mposhti Talaveran në udhëtim me rezultat 3-2, në një ndeshje më të vështirë sesa pritej për “Los Blancos”.

Skuadra madrilene e nisi ndeshjen në sulm, duke krijuar disa raste të pastra në pjesën e parë, por portieri vendas Jaime Gonzalez u tregua në formë të shkëlqyer me disa pritje vendimtare.

Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 41-të, kur Kylian Mbappé realizoi nga penalltia, një vendim i diskutueshëm që nuk u rishikua për shkak të mungesës së VAR-it.

Vetëm pak minuta më vonë, francezi shkëlqeu sërish duke depërtuar në zonë dhe duke goditur drejt portës; pas një devijimi nga mbrojtësi Fernando, topi përfundoi në rrjetë për rezultatin 2-0.

Në pjesën e dytë, Talavera nuk u dorëzua dhe ngushtoi shifrat në minutën e 80-të me golin e Nahuel Arroyo, duke rikthyer emocionet në ndeshje.

Kur vendasit po shtonin presionin, Mbappé kompletoi paraqitjen e tij të shkëlqyer duke shënuar golin e tretë për Real Madridin, duke i dhënë frymëmarrje ekipit të tij.

Megjithatë, Talavera shënoi sërish në kohën shtesë me Gonzalo Ignacio Di Renzo, për 3-2, dhe ishte pranë barazimit në aksionet e fundit. Një pritje vendimtare e Andriy Lunin ruajti epërsinë dhe i siguroi Real Madridit kalimin tutje.

Pavarësisht vështirësive, madrilenët arritën objektivin dhe vazhdojnë rrugëtimin në Kupën e Mbretit. /

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com