Profesorët e universiteteve në Maqedoninë e Veriut nuk do ta kenë më të garantuar pozitën deri në daljen në pension sapo të emërohen profesorë të rregullt. Me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, i cili pritet të dalë së shpejti në shqyrtim publik përmes sistemit ENER, parashikohet obligim i detyrueshëm për rizgjedhje çdo shtatë vjet.
Sipas këtij ligji, profesorët që nuk do ta kalojnë procesin e rizgjedhjes do ta humbasin marrëdhënien e punës dhe do të duhet të kërkojnë një vend tjetër, qoftë brenda sistemit universitar apo jashtë tij, përmes procedurave të reja të përcaktuara.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë një takimi me gazetarët, sqaroi se me këtë ligj rikthehet një praktikë që më parë ishte shfuqizuar. Fillimisht do të vendosen kriteret për avancim në tituj akademikë, ndërsa për profesorët e rregullt parashikohet rizgjedhja periodike.