Në temperatura të larta dhe të ulta, gjatë verës dhe dimrit, rreth 2,000 fëmijë janë në rrugët e Maqedonisë duke lypur. Ky është gjetja kryesore e hulumtimit të organizatës “STOP kundër lypjes dhe keqpërdorimit të fëmijëve dhe shëndetit të tyre”.
Ky fenomen është një problem i gjatë dhe i përhapur në shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Organizata synon të rrisë vetëdijen publike për mbrojtjen e fëmijëve, parandalimin e shfrytëzimit të tyre dhe adresimin e rreziqeve që kjo dukuri paraqet për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
“Në qendrat turistike është e tmerrshme dhe është rritur numri në qytetin e Ohrit ku jemi sot, organizatorët, mafia, pjesëmarrësit janë të kyçur pikërisht për festat. Fëmijët i sjellin dhe i transportojnë nga Velesi, Kërçova, Stuga, Manastiri, Shtipi dhe qytet tjera, prandaj numrin më të madh e kemi sërish në Ohër, por pasi te kalojnë festat dhe të gjithë turistët, numri po zvogëlohet. Ne do ta ndjekim trendin, për atë apeloj qytetarët e Ohrit dhe turistët të mos ju japin para”, tha Ilija Jovanoviq.
Jovanoviq shpjegon se paratë që ua japim fëmijëve shpesh përfundojnë tek organizatorët dhe mafia, ndërsa fëmijët marrin vetëm 50 deri 100 denarë dhe ndonjëherë edhe një dajak. Ai thekson se një fëmijë mund të mbledhë të paktën 6,000 denarë në ditë. Sipas tij, situata është përmirësuar pak, por është e nevojshme të punohet më shumë për të mbrojtur dhe larguar këta fëmijë nga rruga.
“Mendoj se rreth 100 deri 150 fëmijë janë regjistruar tashmë në shkolla dhe çerdhe, dhe qytetarët duhet ta pranojnë këtë, sepse është një përgjegjësi shoqërore që duhet zbatuar. Nga rreth 2,000 fëmijë që lypin çdo ditë, gjatë katër viteve kemi arritur të largojmë 145. Ministria kujdeset për fëmijët nëpër grupe shtëpish dhe shtëpi përkujdesjeje; aktualisht ka 43 shtëpi përkujdesjeje, ku numri i fëmijëve arrin deri në 50, madje edhe 70. Qendrat sociale i kontrollojnë dhe vizitojnë për të parë nëse fëmijët janë në rrugë apo në shkollë, dhe në rast të parregullsive u merret përkujdesja prindërore. Aktualisht po përgatitet edhe ndryshimi i ligjit për procedurë penale dhe për marrjen e të drejtës prindërore”, deklaroi Jovanoviq.
Në këtë kategori fëmijësh që dalin për të lypur në qytet përfshihen fëmijë nga familje me rrezik social, përfshirë disa komunitete të margjinalizuara. Shumica e tyre nuk ndjekin procesin arsimor. Ata kërkojnë që institucionet të angazhohen fuqishëm për të zgjidhur këtë problem.