Rrezik arratisjeje dhe ndikimi mbi dëshmitarët – ish Avokatit të Shtetit Fehmi Stafa i caktohet paraburgimi prej 30 ditëve
Gjykata Penale i ka caktuar paraburgim 30-ditor ish-Avokatit të Shtetit, Fehmi Stafa, i dyshuar për veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”. Paraburgimi është caktuar me propozim të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për shkak të rrezikut të arratisjes, si dhe mundësisë që i dyshuari të ndikojë mbi dëshmitarët dhe të pengojë hetimin.
Stafa dyshohet për ryshfet, ku sipas MPB-së, gjatë periudhës nga tetori deri më 13.12.2025, ka pranuar një shumë totale prej 50.000 eurosh për të ndërmjetësuar dhe për të shfrytëzuar ndikimin e tij real, me qëllim që të ndërhyjë te një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Shkup dhe, përmes ryshfetit ndaj gjyqtarit, të ndikojë në kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk do të duhej të kryhej. Fillimisht, i dyshuari ka kërkuar 100.000 euro për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit të caktuar ndaj një personi i cili është i pakapshëm për organet e ndjekjes dhe kundër të cilit Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një procedurë tjetër për vepra penale kundër financave publike, qarkullimit pagesor dhe ekonomisë.
Më 06.10.2025, ai ka pranuar një pjesë të shumës së kërkuar, konkretisht 30.000 euro, të cilat i janë dorëzuar nga motra e personit në arrati. Më 13.12.2025, ai ka kërkuar dhe pranuar drejtpërdrejt edhe 20.000 euro të tjera, si pjesë e ryshfetit që kishte kërkuar për t’ia dhënë gjyqtarit. Pas pranimit të parave ai është ndaluar dhe tek ai janë gjetur paratë.