Në një kohë kur kërkimi shkencor kërkon vite punë dhe përvojë për të sjellë rezultate të publikuara, një studente shqiptare nga Kumanova ka arritur të sfidojë këtë normë. Sara Jashari, studente e shkencave kompjuterike dhe mastere e shkencave të të dhënave, ka realizuar një sukses të jashtëzakonshëm: shtatë punime të publikuara në konferenca të nivelit ndërkombëtar brenda vetëm një viti. Ky është një rezultat që rrallëherë e arrijnë edhe studiuesit me doktoratë, ndërsa për një studente master konsiderohet arritje e jashtëzakonshme në botën akademike.
Gjatë vitit akademik 2024-2025, Sara ka qenë bashkautore dhe prezantuese në disa prej konferencave më të rëndësishme në fushën e teknologjisë, realitetit të shtuar (XR), inteligjencës artificiale dhe grafikës kompjuterike.
Një nga sukseset më të mëdha të Sarës është pranimi i punimit të saj si bashkautore e parë në ISMAR 2025, konferenca më elitare e botës në fushën e realitetit të përzier dhe realitetit të shtuar. ISMAR konsiderohet një prej ngjarjeve më prestigjioze të teknologjisë XR, ku botohen vetëm punimet më të avancuara. Të arrish këtë nivel në fazën e studimeve master është arritje që shumë studiues e synojnë për vite me radhë.
Ky publikim e vendos Sarën si një nga talentet më premtuese të rajonit në kërkimin shkencor të realitetit virtual, panoramave immersive dhe teknologjive 360°.
Një tjetër sukses i rëndësishëm është pjesëmarrja e saj me disa punime në ACM Web3D 2025, konferencë ndërkombëtare e njohur për teknologjitë 3D, VR, Metaverse dhe WebXR. Punimet e Sarës janë fokusuar në turizmin virtual interaktiv, transferimin e stilit me inteligjencë artificiale në panoramat 360°, si dhe zgjidhje inovative për WebXR, duke marrë vlerësime të larta nga komuniteti akademik dhe pjesëmarrës nga industria.
Në STAG – Smart Tools and Applications in Graphics, një konferencë nën patronazhin e Eurographics Italian Chapter, Sara ka prezantuar dy punime shkencore. Njëri prej tyre, VISPI – Virtual Staging Pipeline for Single Indoor Panoramic Images, u nderua me çmimin: “Best Paper Award”.
Ky projekt ka zgjuar interes të veçantë për qasjen inovative me të cilën transformohen pamjet panoramike 360° në ambiente virtuale të gjeneruara inteligjentisht – një teknologji me përdorim të madh në arkitekturë, metaverse dhe industri kreative.

