SHGM dhe SPGPM dënuan sulmin ndaj redaksisë së Infomax dhe kërkuan reagim të menjëhershëm nga institucionet
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM) dënuan hyrjen e dhunshme të mbrëmshme në redaksinë e Infomax dhe kërkuannjë reagim të menjëhershëm nga institucionet. “Sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, dhe veçanërisht sulmet direkt ndaj redaksive, përbëjnë kërcënim serioz për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar”, thonë shoqatat.
“Sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe pengimi i punës së tyre për të informuar publikun, bien nën nenin 382 të Kodit Penal – Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e një veprimi zyrtar. Për veprat penale të mbuluara nga ky nen, parashikohen dënime deri në tre vjet burg.
SPGPM paralajmëron se sulme të tilla nuk paraqesin vetëm rrezik për sigurinë fizike të gazetarëve dhe punonjësve të medias, por gjithashtu përfaqësojnë sulm ndaj interesit publik dhe lirisë së fjalës dhe shprehjes, të cilat janë shtylla të shoqërive demokratike.
U bëjmë thirrje institucioneve të reagojnë në mënyrë efikase dhe të shpejtë në pjesën e mëtejshme të procedurës, sepse mosndëshkimi i akteve të tilla kundër lirisë së medias inkurajon sulme të mëtejshme dhe krijon një atmosferë pune të pasigurt për gazetarët dhe punonjësit e medias”, thuhet në reagimin e SPGPM-së.
Shoqata e Gazetarëve e vlerësoi incidentin si një shkelje të rëndë të sigurisë së punonjësve të medias dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes. Ata shtojnë se një sjellje e tillë mund të mbulohet nga dispozitat e nenit 382 të Kodit Penal, sipas të cilit, pengimi i një personi zyrtar nga kryerja e një veprimi zyrtar dënohet deri në tre vjet burg.
“SHGM kërkon që të gjitha institucionet kompetente të veprojnë profesionalisht, në mënyrë efikase dhe pa vonesë, me qëllim që të zbardhet rasti sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe sanksionin më të rreptë për autorin e veprës penale me qëllim, siç thotë Shoqata, parandalimin e sulmeve të ardhshme dhe tolerancën zero për dhunën ndaj gazetarëve”, thuhet në reagimin e SHGM-së.
“Infomax” njoftoi hyrje të dhunshme në studion e tyre dhe presin reagime nga institucionet kompetente.
Stafi redaktues i portalit në internet “Infomax” njoftoi se mbrëmë, rreth pesëmbëdhjetë minuta para mesnatës, një person i panjohur hyri me forcë në studion e tyre ndërsa po transmetohej podkasti “Teshki muabeti”. Personi hyri me forcë në redaksi dhe u përpoq të përleshej fizikisht me gazetarët dhe të pranishmit.