Profesori Dr. Vladimir Jakovlljeviç, anëtar i ekipit rus që zhvillon terapinë e parë të personalizuar mRNA kundër kancerit, në një intervistë për MIA thotë se pacientët maqedonas mund ta kontaktojnë ekipin përmes tij, por vetëm nëse përmbushin kriteret strikte mjekësore.
Terapia, e cila aktualisht në Rusi përdoret vetëm për melanom malign, nuk është vaksinë tradicionale, por një trajtim individual i krijuar për secilin pacient. Nga tumori merret një biopsi, dhe me ndihmën e inteligjencës artificiale krijohet një konstrukt mRNA që stimulon sistemin imunitar të njohë dhe shkatërrojë qelizat tumorale specifike.
Në fazën e parë, terapia është e destinuar për pacientët që kanë shteruar të gjitha opsionet e tjera, por kanë treguar një përgjigje minimale ndaj imunoterapisë. Trajtimi është kompleks dhe kërkon disa muaj trajtim në Moskë.
Instituti rus „Gamaleya“ dhe ekipi i Prof. Boljeviç po shqyrtojnë mundësinë që teknologjia të transferohet në Serbi, gjë që do të lehtësonte qasjen për pacientët nga rajoni. Qëllimi i ardhshëm është zgjerimi i terapive edhe për kancere të tjera, siç është kanceri me qeliza të mëdha i mushkërive.
Jakovlljeviç thekson se procesi do të jetë plotësisht transparent dhe i verifikuar shkencërisht, se rreziqet janë minimale, ndërsa potenciali – i konsiderueshëm. Sipas tij, kjo mund të përbëjë një hap të madh përpara për mjekësinë në Ballkan.