Skandal në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive/ Stoilkoviqi largon shtatë shqiptarë nga puna
Një skandal i rëndë ka ndodhur në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, institucion kyç për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sot, ministri Ivan Stoilkoviq ka larguar nga puna shtatë punonjës shqiptarë, ndërsa dhjetëra të tjerë jetojnë me frikën se i njëjti fat i pret në ditët në vijim, shkruan gazeta KOHA.
Arsyetimi zyrtar i kabinetit të Stoilkoviqit është një “masë disiplinore”, e justifikuar në mënyrë absurde me një divan të kapur brenda hapësirave të ministrisë. Por realiteti në terren e rrëzon këtë justifikim farsë. Dhjetëra punonjës, kryesisht shqiptarë, janë grumbulluar në zyra prej vetëm 16 metrash katrorë, pa karrige, pa kompjuterë, pa detyrë pune.
“Nuk kemi ku të ulemi. S’ka karrige, s’ka kompjuter, s’ka punë. Kjo është poshtërim”, ankohen për KOHA punonjësit shqiptarë të kësaj ministrie. Pra, ndërkohë që u mohohen kushtet elementare për punë, i njëjti ministër ju shqipton “masë disiplinore”. Një paradoks i qëllimshëm, që mban erë diskriminim.
Që nga dita e parë e formimit të Qeverisë dhe marrja e këtij dikasteri nga Stoilkoviqi, punonjësit shqiptarë flasin për “zitë e ullirit”: izolim në një kat të vetëm të ministrisë, mungesë totale e kushteve bazë, si dhe presion psikologjik dhe frikë nga largimet selektive.
Ironia është tronditëse: ministria që duhet të mbrojë barazinë ndëretnike po shndërrohet në shembull flagrant të shkeljes së saj. Stoilkoviqi është partner koalicioni i VMRO-VLEN, por heshtja e partnerëve përballë këtij skandali është po aq alarmante sa veprimet e ministrit.
Presionet në këtë ministri, thonë punonjësit shqiptarë, nuk janë thjesht problem administrativ.
“Është alarm politik dhe shoqëror. Dhe pyetja jonë ka kohë që s’ka përgjigje: kush do të mbajë përgjegjësi për shndërrimin e ministriesë që ishte simbol i barazisë në fabrikë diskriminimi?”, pyesin punonjësit shqiptarë.