Snopçe lexon 130 emra të personave të vdekur në lista: Listat zgjedhore të papastruara ia mohuan Gostivarit kryetarin legjitim
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, nga foltorja e Kuvendit i është drejtuar ministrit të Drejtësisë, duke denoncuar parregullsi serioze në listën zgjedhore të Gostivarit.
Snopçe bëri të ditur se gjatë fjalimit të tij ka lexuar 130 emra të personave të vdekur që ende figurojnë si votues aktivë, duke theksuar se kjo shifër përfaqëson vetëm rreth 10 për qind të rasteve të identifikuara nga ana e tyre.
Ai deklaroi se, nëse do të ishin hequr edhe vetëm një pjesë e këtyre emrave nga lista zgjedhore, në Gostivar do të ishte arritur cenzusi dhe Valbon Limani sot do të ishte kryetar i komunës.
“Shtrohet pyetja pse nuk janë pastruar listat zgjedhore, kujt i ka shërbyer ky mospastrimi dhe a kemi të bëjmë me inxhiniering të qëllimshëm zgjedhor në Gostivar?”, theksoi Snopçe.
Në fund, deputeti i Aleancës për Shqiptarët u shpreh se vlerësimin për këto veprime duhet ta bëjnë vetë qytetarët.