Me fillimin e sezonit të ngrohjes, rritet dukshëm rreziku i zjarreve në shtëpi dhe ndërtesa banimi. Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë njofton se shkaktarët më të shpeshtë janë pakujdesia njerëzore, instalimet elektrike të vjetruara, furrat me defekt dhe oxhaqet e papastruara informon Tetovasot.
SPB Tetovë u bën thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, duke mos lënë pajisje ngrohëse të ndezura për periudha të gjata kohore, sidomos ngrohëset elektrike, kondicionerët apo stufat me dru. “Mjafton një shkëndijë e vogël për të shkaktuar zjarr me pasoja serioze materiale dhe të tjera”, thekson policia.
Në mënyrë të veçantë rrezikohen ndërtesat kolektive të banimit, ku lokalizimi i zjarrit është më i vështirë për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shumë prej tyre, por edhe për shkak të qasjes së vështirësuar të ekipeve zjarrfikëse.
Pronarëve dhe banorëve u rekomandohet të pastrojnë oxhaqet të paktën dy herë në vit dhe të mos mbingarkojnë rrjetin elektrik duke ndezur disa pajisje njëkohësisht. SPB Tetovë kujton se, sipas nenit 288 të Kodit Penal, “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” përbën vepër penale që dënohet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg, ndërsa në rastet e pakujdesisë dënimi është deri në tre vjet.
“Të gjithë qytetarët duhet të respektojnë këto udhëzime për të parandaluar zjarret e mundshme dhe për të mbrojtur jetën dhe pasurinë e tyre, si dhe të të tjerëve”, thekson SPB Tetovë për TetovaSot.