Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) informon se udhëzimi për veprim në rast të njoftimeve për bomba është përpunuar në detaje dhe u është dërguar të gjitha shkollave, por megjithatë nuk ka informacion të saktë se si shkollat e zbatojnë atë në terren.

“Ekziston komunikim i papërshtatshëm mes institucioneve, përkatësisht mes institucioneve të larta dhe atyre që janë nën to. Ashtu siç kanë obligim ministrat, po ashtu obligim kanë edhe kryetarët e komunave dhe drejtorët e shkollave. Janë dhënë rekomandime se si mësuesi duhet t’i nxjerrë nxënësit, në çfarë distance nga shkolla dhe kur t’i kthejë përsëri në mësim. Sa i përket transportit, përgjegjësia është e kryetarëve të komunave”, sqaroi ministrja Janevska.

Kjo u deklarua si plotësim i përgjigjes së ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, i cili iu përgjigj pyetjes lidhur me njoftimet e rreme për bomba në gjimnazin e Tetovës. Toshkovski theksoi se njoftime të tilla ka pasur në disa qytete dhe se MPB-ja vepron në përputhje me protokollet antiterroriste sa herë që ka çfarëdo lloj njoftimi, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për shkollë apo për ndonjë vend tjetër me numër më të madh qytetarësh.

– “Dua t’ju siguroj se veprojmë sipas standardeve dhe protokolleve, ashtu si edhe vendet e tjera evropiane. Veprojmë në mënyrë preventive dhe të përshtatshme, por fakt është se kur ka njoftime të këtij lloji, sipas protokollit duhet të braktiset objekti dhe të kryhet evakuimi”, tha Toshkovski. Ai shtoi se nuk pajtohet me pretendimin se MPB-ja nuk ka vepruar në mënyrë adekuate, përkundrazi, tani përballet shumë më mirë me raste të tilla.

Ministri theksoi se me paraqitjen e problemeve bëhen menjëherë përpjekje që ato të zgjidhen, duke nënvizuar se siguria e qytetarëve, veçanërisht e fëmijëve, është prioritet absolut.

– “Ju siguroj se maksimalisht ndërmerren veprime në kuadër të kompetencave të MPB-së”, përfundoi Toshkovski.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com