Thirrje për dorëheqje urgjente në sindikatat e policisë: “Tradhtia ndaj policëve ka emër dhe mbiemër”
Një nga themeluesit e Sindikatës së Pavarur të Policisë (NSP) Flori Epiriani ose më saktë Themelues dhe aktivist I Sindikatës së Pavarur të Policisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut ka reaguar ashpër duke bërë thirrje publike për dorëheqje urgjente ndaj kryetarit të NSP-së, Martin Efremov, dhe kryetarit të MPS-së, Zoran Kuzmanovski, duke i akuzuar për tradhti të hapur ndaj interesave të policëve informon Tetovasot.
Sipas reagimit, me ndryshimet e fundit në Ligjin për Policinë, është fshirë dispozita që garantonte rritje page prej 30%, respektivisht 20% për autorizimet policore, dhe është zëvendësuar me formulimin e paqartë “do të përcaktohet sipas ligjit”, çka sipas tij përbën goditje direkte ndaj standardit jetësor të policëve.
“Dje në Kuvend u krye një ‘ekzekutim’ mbi mundin e policit”, thuhet në reagim, ku theksohet se drejtuesit sindikalë kanë qenë pjesë e grupeve punuese për Ligjin e ri për Punë të Brendshme, por kanë dhënë pëlqimin për fshirjen e përqindjeve të garantuara me ligj raporton Tetovasot.
Autori i reagimit i akuzon Efremovin dhe Kuzmanovskin për:
• Shitje të të drejtave të policëve për pozita dhe privilegje,
• Heshtje totale sindikale, pa asnjë reagim publik, konferencë apo protestë,
• Paaftësi në negociata, duke lejuar që paga e policit të varet nga vullneti i ministrit dhe jo nga ligji,
• Manipulim të anëtarësisë, duke humbur çdo legjitimitet për përfaqësim.
“Ju nuk jeni më përfaqësues të punëtorëve, por shërbëtorë të bindur të sistemit që i shkel ata”, theksohet më tej, duke u bërë thirrje të dyve që të lirojnë pozitat për njerëz që, siç thuhet, “kanë guxim të dalin para MPB-së dhe jo vetëm të buzëqeshin në kafe me ministrat”.
Në fund të reagimit kërkohet:
• Dorëheqja e menjëhershme e Martin Efremovit, për degradimin e NSP-së,
• Dorëheqja e menjëhershme e Zoran Kuzmanovskit, për lejimin e fshirjes së të drejtave historike të policëve.
Reagimi ka nxitur debat të ashpër në opinionin publik dhe pritet të shkaktojë reagime të tjera nga sindikatat dhe institucionet përkatëse.