Shpresoj që deri në qershor-korrik të vitit të ardhshëm do ta zbatojmë “Qytetin e sigurt” në të gjithë territorin e vendit, dhe jam i sigurt se deri në fund të vitit 2026 do ta zbatojmë në çdo qytet si një sistem inteligjent. Qytetarët e Maqedonisë meritojnë të zbatojnë një zgjidhje inteligjente në Tetovë, Shkup, por edhe në Berovë, Dellçevë, Strugë dhe Ohër që duhet të ndjekë strategjinë evropiane “zero viktima”, domethënë atë strategji që deri në vitin 2050 të mos kemi viktima njerëzore si rezultat i mosrespektimit të rregullave të komunikacionit, theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në promovimin e sotëm të një centrali fotovoltaik të instaluar në Qendrën e Trajnimit të MPB-së, donacion nga OKTA, dhe kujtoi se periudha e testimit për regjistrimin e kundërvajtjeve nga sistemi “Qytet i Sigurt” është e vlefshme deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.
Sipas Toshkovskit, kjo është vetëm një pjesë e hapave të cilët duhet të ndërmerren, por edhe në këtë periudhë të shkurtër kohore, në kuadër të periudhës së testimit, informacionet fillestare janë se me të vërtetë qytetarët e Maqedonisë së Veriut sillen ndryshe kur drejtojnë automjet se sa më parë.
“Dhe jam shumë i kënaqur që numri i aksidenteve rrugore me lëndime të rënda trupore dhe numri i përgjithshëm i aksidenteve rrugore, aty ku po e zbatojmë këtë projekt, është duke u zvogëluar. Kjo është shumë e rëndësishme. Qëllimi i parë dhe më i madh, do të thoja qëllimi i fundit i zbatimit të këtij sistemi, është të shpëtojmë të paktën një jetë njerëzore më shumë se më parë. Pra, rezultatet që duhet të ofrojë ‘Qyteti i sigurt’ janë vërtet shumë të shkëlqyera”, theksoi ministri Toshkovski.
Shtoi se askush nuk do të përjashtohet nga “Qyteti i sigurt”, përveç automjeteve të policisë të cilat ndërmarrin veprime, ndihma mjekësore urgjente dhe automjetet e njësiteve zjarrfikëse. Gjatë kësaj e përmendi shembullin e tij personal kur ka marrë vërejtje për kundërvajtje të kryer në komunikacion dhe këtë e bërë publike.
Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026. Më 17 dhjetor, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u miratuan edhe disa ndryshime ligjore për zbatimin e plotë të këtij projekti.
Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë.