Bota e futbollit spanjoll dhe ndërkombëtar është tronditur nga një lajm i hidhur. Fernando Martín, trajneri i ekipit Valencia CF Women’s B, ka ndërruar jetë tragjikisht së bashku me tre fëmijët e tij pas fundosjes së një varke turistike në ujërat e Indonezisë.
Sipas autoriteteve lokale, mjeti lundrues me 11 persona në bord u përfshi nga dallgë të forta dhe u fundos pranë ngushticës së Ishullit Padar, afër destinacionit turistik Labuan Bajo, të premten më 26 dhjetor. Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin gjallë disa persona, mes tyre bashkëshorten e trajnerit, Andrea, dhe vajzën e tyre 7-vjeçare, Mar. Fatkeqësisht, Fernando Martín dhe tre fëmijët e tjerë – Elia (12 vjeç), Kike (10 vjeç) dhe Mateo (9 vjeç) – humbën jetën.
Klubi i Valencia CF reagoi me një deklaratë zyrtare, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e trajnerit dhe fëmijëve të tij, si dhe duke i shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të klubit. “Në këtë moment të vështirë, jemi pranë familjes së Fernando Martín dhe gjithë atyre që janë prekur nga kjo tragjedi,” thuhej në mesazhin e klubit.
Edhe Real Madrid shprehu ngushëllimet e tij, duke e cilësuar lajmin si tronditës dhe duke dërguar mbështetje për bashkëshorten Andrea dhe vajzën e mbijetuar, Mar, si dhe për familjen dhe komunitetin e Valencia CF.
Fernando Martín, 44 vjeç, ishte emëruar trajner i Valencia Women’s B në fillim të këtij viti dhe vlerësohej për përkushtimin e tij në zhvillimin e futbollit të femrave. Kjo humbje e rëndë lë një boshllëk të madh në klub dhe në sportin spanjoll.
Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë, ndërsa autoritetet indoneziane po punojnë për gjetjen e trupave të viktimave. Bota e sportit bashkohet në dhimbje dhe solidaritet me familjen Martín në këtë moment tejet të vështirë.