Përmes një ceremonie solemne, Universiteti i Tetovës ndau bursa për studentët ekselentë të ciklit të parë të studimeve, aktivitet ky i cili u realizua në vigjilje të 31-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës. Në këtë aktivitet morën pjesë drejtuesit e universitetit, profesorë, studentë dhe familjarë.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i përgëzoi ekselentët për suksesin e tyre dhe theksoi se kjo rrugë e triumfit të tyre, nuk është e lehtë, është e shoqëruar me vështirësi, përkushtim, sakrificë dhe dilema. “Jam i bindur se ata në çdo moment e kanë pasur dhe do ta kenë mbështetjen e stafit mësimdhënës, administratës, stafit menaxhues, që bashkërisht ëndrrat e tyre t’i realizojnë në mënyrë më të lehtë, më triumfuese dhe më të suksesshme, sepse mbi të gjitha kjo është edhe një nga vulat e suksesit të Universitetit të Tetovës, kushtuar 31-vjetorit të themelimit. Të nderuar prindër të studentëvë tanë, më lejoni të shfaq mirënjohjen për ju, për mbështetjen që ju u keni dhënë djemve dhe vajzave, të cilët njëkohësisht janë djemtë dhe vajzat e institucionit tonë që me përkushtim dhe punë afirmojnë në tërësi Universitetin e Tetovës. Duke i bashkuar forcat tona, prindër, studentë, staf menaxhues, administratë, profesorë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e Universitetit të Tetovës ne arrijmë që të ngremë nivelin e cilësisë dhe përgatisim kuadro të cilët përkojnë me nevojat e ekonomisë së tregut, ushtrimit të profesionit të tyre, jemi të bindur se ata do të shkëlqejnë, ashtu si shkëlqejnë gati çdo ditë, çdo javë, çdo muaj me çmime të ndryshme.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Studentëve ekselentë, bursat ua ndanë Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati, Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektorja për Financa Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftijari, Prorektori për Arsim Prof. Dr. Ibraim Neziri dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi.






