Vetëm pak muaj para arrestimit të saj, Federica Mogherini nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme me Telekom Srbija– një fakt që sot po ngre edhe më shumë pikëpyetje në Serbi, ndërsa hetimet ndaj saj po vazhdojnë në nivel evropian, shkruan nova.rs. Marrëveshja, e cila garantonte 10 bursa të reja për studentët më të mirë postdiplomatikë serbë, ishte vetëm vazhdim i një partneriteti të thellë që zhvillohej paralelisht me akuzat se gjatë viteve 2021 dhe 2022, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Kolegji i Evropës kishin keqpërdorur fonde publike të BE-së për hapjen e një akademie të re diplomatike.
Vetëm një vit më pas – në 2023 – bashkëpunimi i Kolegjit të Evropës me institucionet serbe u zgjerua ndjeshëm, pikërisht në periudhën kur dyshimet për keqpërdorimet financiare po qarkullonin në nivel të brendshëm evropian.
Pak para arrestimit, Mogherini u takua me zyrtarë të lartë serbë, ndërsa një vit më herët kishte mbajtur edhe një takim me presidentin Aleksandar Vuçiq. Sot, këto vizita dhe intensifikimi i bashkëpunimit po analizohen me dyshim. Gjithë ky rrjet marrëveshjesh – bursat, vizitat, memorandumet – dhe prania e shpeshtë e Mogherinit në Serbi po shihet tashmë si pjesë e një mozaiku shumë më kompleks.
Arrestimi i saj, si rektore e Kolegjit të Evropës dhe ish-përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme, ka shkaktuar tronditje në Serbi, ku partneriteti me “Telekom Serbia” kishte arritur dimensione të konsiderueshme. Memorandumi i nënshkruar nga Mogherini dhe drejtori i Telekomit, Vladimir Luçiq, hapi rrugën për dhjetëra bursa dhe projekte të përbashkëta për studentët serbë.
Sipas personave me njohuri për hetimin, procedurat penale u hapën pikërisht pas akuzave se gjatë viteve 2021 dhe 2022 fonde të BE-së ishin keqpërdorur për projekte të lidhura me hapjen e një akademie diplomatike. Kjo kohë përkon me periudhën kur Kolegji i Evropës po zgjeronte rrjetin e partneriteteve të tij, përfshirë edhe hapjen zyrtare të bashkëpunimit me Telekom Serbia në vitin 2023 – një koincidencë që tashmë po ngre shumë pikëpyetje.
Partneriteti i nisur në vitin 2023 u forcuar vit pas viti. Sipas njoftimit të Telekom Serbia nga qershori 2025, kompania kishte financuar për të dytin vit radhazi studentë serbë në programet elitare të Kolegjit të Evropës, duke u hapur atyre rrugë drejt institucioneve evropiane dhe rrjeteve ndërkombëtare të karrierës. Memorandumi i nënshkruar nga Mogherini dhe Luçiq ishte themeli i këtij programi dhe e poziciononte Telekomin si një nga sponsorët kryesorë të studentëve serbë.
Në janar 2025, vetëm pak kohë para arrestimit, Mogherini dhe Luçiq zhvilluan një takim në Bruksel ku ranë dakord që numri i bursave të rritej në 10 për vitin e ardhshëm akademik. Luçiqe cilësoi Kolegjit të Evropës “një nga institucionet më prestigjioze në kontinent”, ndërsa Mogherini theksoi se ky program ishte “vendimtar për përfshirjen e vendeve kandidate në proceset evropiane”.
Mogherini vizitoi Beogradin edhe në nëntor 2024, ku promovoi programet e Kolegjit të Evropës dhe mori pjesë në ngjarje politike me peshë. Në Konferencën e Sigurisë në Beograd, ajo komentoi zhvillimet ndërkombëtare, duke thënë se “ata që festojnë fitoren e Trump-it do ta kuptojnë shumë shpejt që nuk do ta kenë të lehtë”. Ajo u takua gjithashtu me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për të diskutuar bashkëpunimin arsimor dhe integrimin evropian, takim në të cilin mori pjesë edhe vet Luçiq. /Kosovapress