Koalicioni VLEN vlerëson se ndërprerja e funksionit të kryeprokurorit shënon fundin e një periudhe që prodhoi humbje të thellë të besimit publik në Prokurorinë Publike.
Besimi i qytetarëve u rrënua nga raste konkrete që i panë me sytë e tyre, si rasti i Ixhet Memetit, ku një zyrtar i drejtësisë përfundoi me dënim të butë, ndërsa qytetarë të zakonshëm janë ndëshkuar për gabime shumë më të vogla.

Besimin në drejtësi e kanë goditur rëndë edhe vlerësimet ndërkombëtare, përfshirë futjen e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në listën e zezë amerikane për korrupsion serioz dhe minimin e proceseve të drejtësisë, ndërkohë që institucionet vendore ende nuk kanë dhënë epilog të qartë për këto raste.

Koalicioni VLEN do të insistojë që procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të jetë i pastër, transparent dhe i çliruar nga ndikimet politike. Rikthimi i besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë është detyrim që nuk mund të shtyhet më.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume