Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, vlerëson se koalicioni VLEN funksionon mirë dhe se ideja për shndërrimin e tij në një subjekt të vetëm politik është aktive dhe mund të realizohet së shpejti. Në një intervistë për MIA, Gashi tha se qytetarët janë të lodhur nga përçarjet dhe fragmentarizimi politik dhe kërkojnë unitet, siguri dhe tejkalim të interesave personale nga liderët.
“Nuk është beteja se kush do të jetë kryetar, por beteja është se në cilin drejtim po ecim, cilat vlera po i promovojmë, për çfarë angazhohemi dhe për çfarë luftojmë. Nëse gjërat i shohim kështu, jam i bindur se shumë shpejt do të arrijmë te një subjekt i vetëm politik, që mund të quhet i madh, dhe atëherë do të jetë shumë më pak e rëndësishme se kush do të jetë kryetari, kush do të jenë anëtarët dhe të ngjashme”, tha Afrim Gashi.
Duke komentuar zhvillimet në opozitën shqiptare dhe kritikat ndaj tij në Kuvend, Gashi u shpreh se fokusi i tij mbetet puna institucionale, dinjiteti i Kuvendit dhe ngritja e kulturës politike, duke theksuar se qytetarët janë ata që vlerësojnë punën e politikanëve.
Sa i përket ndryshimeve në BDI dhe rizgjedhjes se Ahmetit kryetar partie, Gashi tha se janë çështje e brendshme e anëtarësisë dhe duhet respektuar.
“Kjo është vërtet çështje e tyre. Ata qytetarë, ata anëtarë të asaj partie, kanë të drejtë të plotë të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë, si duhet t’i përfaqësojë, ku duhet të shkojnë dhe me çfarë duhet të merren në politikë. Nëse ata mendojnë se ajo person duhet të vazhdojë t’i udhëheqë edhe pas 22 vitesh në pushtet, kjo është puna e tyre. Unë e respektoj”, tha Afrim Gashi.