Një grua 71-vjeçare nga Kosova është vrarë në qytetin Buchs, në kantonin e Cyrihut.
Lajmi është konfirmuar nga Policia Kantonale e Cyrihut.
Sipas njoftimit zyrtar, qendra e operacioneve të policisë ka pranuar një raport për gjetjen e një personi të pajetë në një ndërtesë banimi. Ekipet e ndihmës së shpejtë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, por kanë mundur vetëm të konstatojnë vdekjen e gruas.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në lagje.
Banorë të zonës kanë deklaruar për mediat se në orët e mëngjesit të së mërkurëskanë vërejtur prani të shtuar të policisë.
“Jam i tronditur nga ajo që ndodhi në lagjen tonë të qetë,” ka thënë një banor, duke shtuar se familja e viktimës nuk ishte shumë e njohur në komunitet dhe se gruaja e ndjerë vuante nga probleme shëndetësore.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë arrestuar tre persona të dyshuar që ndodheshin në banesë në momentin e ngjarjes.
Të arrestuarit janë një grua dhe dy burra, të gjithë shtetas zviceranë, të moshës 27, 48 dhe 51 vjeç.
Motivi i krimit, rrjedha e saktë e ngjarjes dhe rrethanat e tjera mbeten ende të paqarta.
Hetimet po zhvillohen nga Policia Kantonale e Cyrihut në bashkëpunim me Prokurorinë Publike.
Autoritetet kanë bërë të ditur se më shumë informacione do të publikohen pas përfundimit të hetimeve fillestare.