Valdet Xhaferi është zgjedhur sonte kryetar i Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Gostivar, gjatë mbledhjes së Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Pas vendimit, Xhaferi ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për besimin dhe nderin që i është dhënë për të vazhduar udhëheqjen e Degës së Gostivarit. Ai theksoi se ky emërim vjen në një moment të rëndësishëm për partinë, pas vendimeve të marra në Kryesinë Qendrore, të cilat synojnë ripërtëritjen, unitetin dhe forcimin e misionit politik të BDI-së, njofton TS.
Në reagimin e tij, Xhaferi falënderoi strukturat e degës në Gostivar, anëtarët dhe kryetarët e këshillave vendorë, kryesinë e degës, udhëheqësit e departamenteve, funksionarët, këshilltarët, shefat e shtabeve, Forumin e Gruas dhe Forumin Rinor, si dhe të gjithë mbështetësit për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Ai theksoi se këtë përgjegjësi e pranon me vendosmëri dhe me vetëdije të plotë për sfidat që e presin, duke u zotuar se së bashku me strukturat partiake do të punojë për forcimin e Degës së BDI-së në Gostivar dhe për përfaqësimin sa më dinjitoz të interesave të shqiptarëve.
“Besimi na u dha. Përgjegjësia është e madhe. Na priftë e mbara”, ka deklaruar Xhaferi, duke shtuar se puna e përbashkët do të vazhdojë me unitet dhe vizion.