Xhami të mbyllura në Ohër, imamë të papunë/ Përplasja mes hoxhës Sabaudin Zeqiri dhe Myftinisë së Ohrit (VIDEO)
Kjo është njëra nga pesë xhamitë e Ohrit që gjatë gjithë javës qëndrojnë të mbyllura.
Këto xhami hapen vetëm gjatë ditëve të xhumasë, ditën e premte kur falet namazi i xhumasë, dhe mbyllen gjatë gjithë javës. Këto xhami qëndrojnë të mbyllura pavarësisht faktit se në Ohër ka imamë të papunë, e veçanërisht imamë profesionalë, të atij niveli që kanë studiuar dhe përfunduar studimet universitare e pasuniversitare në vendet e shenjta, në Medinë, aty ku ka buruar Islami, raporton TS.
Fatmirësisht, javë më parë patëm në vizitë imamin e Qabes. Pra, këta hoxhallarë kanë kontribuar për fenë dhe Islamin në vendet ku ka lindur Islami. Sot, përderisa pesë xhami në Ohër qëndrojnë të mbyllura, ka imamë që janë të papunë, dhe sot do të flasim me njërin prej tyre.
Pse Bashkësia Fetare Islame nuk lejon që ai të punësohet në njërën nga këto xhami që qëndrojnë të mbyllura dhe të realizojë misionin e tij të shenjtë: të mësojë fëmijët besimin islam dhe të falë namazet që janë obligim nga Zoti?
Për Bashkësinë Fetare Islame dhe për Myftininë e Ohrit, siç duket, diploma e Fakultetit të Hadithit në Medinë nuk merret parasysh.
Hoxha Sabaudin Zeqiri në një intervistë me gazetarin e TS, Nevrij Ademi thotë se mosangazhimin e tij nuk e lejon Bashkësia Fetare Islame në Ohër, pavarësisht kualifikimit akademik dhe gatishmërisë për të shërbyer si imam.
Ai thekson se është i diplomuar në Arabinë Saudite, fakt që, sipas tij, dëshmohet jo vetëm me diplomën përkatëse, por edhe nga profesorë, hoxhallarë dhe qytetarë brenda dhe jashtë vendit. Pas përfundimit të studimeve, Zeqiri thotë se është kthyer në Ohër, qytetin e tij të lindjes, me dëshirën për t’i shërbyer komunitetit si imam dhe mësues i brezave të rinj.
Sipas tij, ai është takuar personalisht me myftiun e Ohrit, hoxhën Samet efendi Ajdari, të cilit i ka kërkuar të angazhohet në njërën nga xhamitë që, sipas Zeqirit, nuk kanë imam të rregullt. Përgjigjja fillestare, siç deklaron ai, ka qenë se Myftinia nuk ka mundësi financiare për ta paguar. Në këtë rast, Zeqiri thotë se ka shprehur gatishmëri për të punuar vullnetarisht, në emër të Zotit, deri në krijimin e kushteve financiare.
Më pas, sipas tij, i është thënë se të gjitha xhamitë në Ohër kanë imamë, një pretendim që Zeqiri e kundërshton, duke theksuar se si qytetar i Ohrit është i informuar për gjendjen reale dhe se këtë e dinë edhe vetë banorët e qytetit.
Ai shton se shumica e imamëve që shërbejnë vetëm për ditën e xhumasë, sipas tij, nuk e kanë të përfunduar as medresenë, e lëre më studimet e larta teologjike. Zeqiri thekson se qëllimi i tij nuk ka qenë asnjëherë përçarja, por bashkëpunimi dhe shërbimi i përbashkët ndaj besimtarëve.
“Do të vazhdoj misionin tim pavarësisht nëse pranohem apo jo, sepse kjo është një mision i shenjtë në shërbim të Allahut dhe jo thjesht një punë për pagë”, ka deklaruar ai për TS.
Sipas Zeqirit, mungesa e hapësirës institucionale ka detyruar formimin e një shoqate, gjë që, siç thotë ai, nuk do të ishte e nevojshme nëse institucionet fetare do të funksiononin siç duhet dhe besimtarët do të ishin të përfshirë drejtpërdrejt në xhami.
Në fund, hoxha Sabaudin Zeqiri u ka bërë thirrje Bashkësisë Fetare Islame, Reis-ul-ulemasë dhe Myftinisë së Ohrit për bashkëpunim, mirëkuptim dhe shërbim pa përçarje, tensione apo armiqësi mes besimtarëve.
“Jam i gatshëm t’u shërbej të gjithë qytetarëve pa dallim, shqiptarë, turq, romë apo komunitete të tjera, me mirësi dhe respekt. Ky është mesazhi im”, theksoi Zeqiri për TetovaSot.
Të ndërruar shikues, nga intervista me imamin, sot jemi këtu në Myftininë e Ohrit për të biseduar se ku qëndron problematika. Fatkeqësisht, duke i uruar shërim të shpejtë, myftiu i Ohrit ka pasur disa probleme shëndetësore dhe aktualisht ndodhet në Shkup, ndaj nuk pati mundësi të na presë. Me ne është sekretari i Myftinisë së Ohrit, zoti Gazmend Hoda.
Zoti Gazmend, faleminderit që na pritët në Myftininë e Ohrit dhe faleminderit për prezencën tuaj. Problematika me zotëri Sabaudin Zeqirin, i cili ka deklaruar se dokumentacioni i tij dhe kërkesa për të qenë imam nuk janë pranuar – cila është arsyeja që Myftinia e Ohrit e neglizhon punësimin e tij, përkundër faktit se ai ka të përfunduar fakultetin?
Deri më sot, nuk kemi neglizhuar askënd dhe nuk kemi ndërmend të neglizhojmë asnjë person që ka profesion adekuat dhe që kërkohet kur ka nevojë Myftinia.
Kur thoni “kur ka nevojë Myftinia”, a nuk ka nevojë Myftinia për imam?
Për momentin, të gjitha xhamitë kanë persona që i plotësojnë shërbimet fetare. Në xhaminë ku isha sot, dhe që qytetarët e shohin edhe në video, nuk dëgjohej zëri i ezanit të drekës. Kjo nënkupton se ajo xhami ishte e mbyllur me dry. Ajo xhami nuk ka imam?
Jo, ajo xhami ka imam, ka imam të rregullt.
Imam i rregullt, kur xhamia ishte e mbyllur me dry?
Personin që e kemi caktuar aty për kryerjen e obligimeve fetare, e kemi caktuar për periudha të ndryshme kohore. Për ne, ai imam është i rregullt dhe është përgjegjës për atë xhami.
Ajo xhami funksionon.
Si funksionon?
Ajo xhami funksionon vetëm për faljen e xhumasë dhe gjatë muajit të Ramazanit.
Ne dëshirojmë të dimë arsyen e vërtetë.
Arsye tjetër nuk ka.
Presim që ai të përfundojë fakultetin.
Deri kur të përfundojë fakultetin? A nuk është më mirë t’i jepet mundësia një studenti të vazhdojë studimet, ndërkohë që shërben? Ju mund ta angazhoni si mualim, por jo si imam, për shkak se edhe feja ka rregulla të caktuara.
Po dje kishit nevojë për imam, ndërsa sot jo? Sot i thoni atij të shkojë në shtëpi sepse keni imam tjetër. Pse po i mohohet kjo e drejtë?
Kur t’i vijë koha, do ta punësojmë.
Zotëri Sabaudini ka ardhur këtu në Myftini, ku ka qenë i pranishëm edhe myftiu, dhe i është sqaruar qartë çështja e punësimit të nëpunësve fetarë pranë kësaj Myftinie.
Zotëri Sabaudini jo vetëm që nuk ka dorëzuar dokumentacionin e plotë, por kur i është thënë se momentalisht nuk ka vend pune, ai e ka marrë këtë me ironi, duke na thënë se ne të vazhdojmë kështu, ndërsa ai do të vazhdojë në rrugën e tij.
Kjo është edhe deklarata zyrtare e Myftinisë së Ohrit sa i përket rastit të zotëri Zeqirit. Siç e theksuam edhe më herët, ne nuk do të ndalemi këtu dhe do t’i drejtohemi Bashkësisë Fetare Islame dhe Reis-ul-ulemasë, hoxhë efendi Fetahu, për të dhënë edhe versionin e tyre lidhur me atë që ka ndodhur në Myftininë e Ohrit. Faleminderit.