Në zgjedhjet e përsëritura lokale më 11 janar në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës garojnë dy kandidatë për kryetar komune: Oner Jakuposki nga VMRO-DPMNE-ja dhe Anes Ahmeti nga LSDM-ja. Jakuposki, i cili aktualisht është emëruar përfaqësues nga Qeveria, thotë se programi i tij bazohet në 5 shtylla. Ai konsideron se programi është realist dhe se është konceptuar në mënyrë sistematike.

“Shtylla e parë është infrastruktura moderne komunale, shtylla e dytë, për të cilën mendoj se është një nga elementët më të fortë të komunës Mavrovë-Rostushë, është zhvillimi i turizmit, i cili duhet të përfaqësojë motorin më të fuqishëm për zhvillimin socio-ekonomik në komunë. Shtylla e tretë është pjesa e dixhitalizimit të komunës dhe shërbimeve, shtylla e katërt është një komunë e pastër dhe me efikasitet energjetik si dhe shtylla e pestë është një komunë që ruan traditën dhe kulturën dhe padyshim pjesa kyçe, që është bashkëpunimi me diasporën nga Komuna Mavrovë-Rostushë”, tha Oner Jakuposki, Kandidat i VMRO-DPMNE-së.

Programi i kandidatit të LSDM-së, Anes Ahmeti, është i fokusuar në disa prioritete kryesore, infrastrukturë, mjedis dhe transparencë. Sa i përket infrastrukturës, ai thotë se do të investojë në rrjetet e kanalizimeve dhe ujësjellësit, si dhe zgjerimin e rrugëve në disa vendbanime.


“Në fushën e mjedisit do të punojmë për pastrimin e të gjitha deponive të paligjshme që ekzistojnë në të gjitha vendbanimet dhe ka mjaft. Do të investojmë në zhvillimin e ndërmarrjes komunale dhe në riorganizimin e saj të plotë, si dhe në blerjen e makinerive të reja. Do të investonim në ndarjen e mbeturinave, në blerjen e mekanizmit të ri me të cilin do të mund të magazinojmë edhe mbeturinat voluminoze, me të cilat kemi probleme serioze, si dhe në transparencën e komunës. Komuna duhet të jetë transparente, që çdo qytetar të ketë mundësinë të dijë se ku është shpenzuar çdo denar i tij. Do të krijojmë edhe një aplikacion dixhital me të cilin qytetarët do të mund të kenë qasje tek çdo administratë dhe çdo person dhe të kërkojnë çfarëdo dokumenti”, deklaroi Anes Ahmeti, Kandidat për kryetar nga LSDM-ja.

Sipas të dhënave më të fundit nga regjistrimi zyrtar i vitit 2021, Komuna e Mavrovës dhe Rostushës ka mbi 13.500 banorë, nga të cilët shumica jetojnë jashtë shtetit. /Alsat.mk

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com