Zgjidhet banka për hekurudhën e shpejtë, Nikolloski: Tani nuk e themi emrin dhe normën e interesit, por do të jemi transparentë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski, thotë se tashmë është zgjedhur banka që do ta financojë ndërtimin e hekurudhës së shpejtë nga Greqia deri në Serbi. Nuk zbulon se cila është ajo bankë, sepse, siç thotë, kjo mund të ndikojë në pozicionet e saj tek aksionerët dhe në bursë. Ai thotë se hekurudha do të fillojë të ndërtohet rreth mesit të vitit 2026.
“Banka është zgjedhur, ne thamë se kemi zgjedhur ofertën indikative. Tani, në këtë moment po punojmë në ofertën përfundimtare, paralelisht po kryhen këto punë përgatitore, dhe siç thashë deri në verë do të kemi ekskavatorë në terren, dhe e gjithë kjo do të shkojë në Kuvend si një paketë, kur të jemi plotësisht të përfunduar. Sigurisht, këtu do të duhet të shkojë edhe zgjedhja e kontraktorit. Sa i përket kontraktorit, do të shkojmë me atë që quhet dialog konkurrues, kështu që kjo do të jetë një proces transparent, gjithashtu ku do të njoftohet e gjithë publiku”, deklaroi Aleksandar Nikolloski – ministër i Transportit
Ky projekt pritet të kushtojë rreth 2 miliardë euro dhe është pjesë e marrëveshjes strategjike me Mbretërinë e Bashkuar. Nikolloski gjithashtu njoftoi intensifikimin e ndërtimit të hekurudhës drejt Bullgarisë dhe mendon se, edhe pse te fqinjit tonë lindor ka krizë politike, kjo nuk do të ndikojë në realizimin e fazës së tretë për lidhjen hekurudhore midis dy vendeve, sepse Marrëveshja është ndërqeveritare.
“Pa marrë parasysh situatën në Bullgari, në takimin tim të dytë me Grozdan Karaxhov, zëvendëskryeministrin e qeverisë bullgare, i cili ndodhi së fundmi në Bruksel, më dha premtimin se Kuvendi Kombëtar Bullgar gjithashtu do ta ratifikojë marrëveshjen, dhe konfirmimi më i mirë për këtë është se dje dhe pardje u zhvillua takimi i parë në nivel teknik midis drejtorëve të dy ndërmarrjeve të infrastrukturës hekurudhore dhe ekipeve të tyre në Sofje”, theksoi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Nikolloski pret që projekti i hekurudhës të financohet edhe përmes programit SEFA, i cili nuk është i disponueshëm për Maqedoninë, por që Brukseli do ta ndryshojë këtë. Nëse kjo ndodh, atëherë paratë do të jenë si grant, që do të thotë të pakthyeshme.