Ministri për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, priti në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut, z. Kristof Le Rigoler
Shkup, 15 janar 2026 – Ministri për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, realizoi sot një takim pune me Ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut, z. Kristof Le Rigoler, ku u diskutua për procesin e integrimit evropian të vendit, prioritetet reformuese dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve.
Në takim, Ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj rrugëtimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për kontributin konkret në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e reformave. Ai theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe reformat e ndërlidhura do të jenë prioritet kryesor në punën e tij si Ministër për Çështje Evropiane.
Palët shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale në politikën e zgjerimit të BE-së dhe rëndësinë e ruajtjes së ritmit të reformave, duke shfrytëzuar momentumin pozitiv në rajon. Ministri Sali theksoi angazhimin për forcimin e rolit koordinues të Ministrisë për Çështje Evropiane, për operacionalizimin e strukturave kombëtare për negociatat dhe Agjendën e Reformave, si dhe për rritjen e absorbimit të fondeve të BE-së.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe gjendja aktuale e procesit të anëtarësimit, përfshirë përmbushjen e detyrimeve nga raportet e skriningut, finalizimin e udhërrëfyesve për Sundimin e Ligjit dhe Reformën e Administratës Publike, si dhe avancimin e kërkesave të tjera që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike.
Ministri Sali theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj agjendës evropiane, duke ruajtur harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dëshmi e qartë e orientimit strategjik drejt anëtarësimit.
Në këtë kuadër, u vlerësua edhe bashkëpunimi me “Expertise France” dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), si dhe programet e mbështetjes në fushën e zhvillimit institucional dhe ngritjes së kapaciteteve të administratës, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në përafrimin me standardet e BE-së.
Në përfundim, të dy bashkëbiseduesit riafirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të dialogut politik dhe bashkëpunimit në sektorë me interes të përbashkët, si energjia, transformimi digjital, infrastruktura, arsimi dhe kultura, si dhe për vazhdimin e koordinimit të ngushtë në mbështetje të procesit të zgjerimit të BE-së.


