Kur feja kthehet në biznes, besimtari shndërrohet në viktimë. Zhvatja në emër të Zotit është krimi më i ulët moral

Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

Buxheti i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndërtohet mbi sakrificën dhe besimin e myslimanëve: anëtarësia, fitri, zeqati, haxhi, kurbanët, qiratë nga dyqanet dhe kontributet vullnetare. Këto nuk janë pagesa tregu, por akte besimi, obligime fetare dhe morale, të dhëna me bindjen se institucioni fetar do t’i shërbejë komunitetit me ndershmëri, transparencë dhe përgjegjësi. Myslimanët nuk japin për luks, për privilegje, për pasurimin e funksionarëve, por për të pasur shërbime fetare të garantuara dhe dinjitoze. Ata nuk japin para që hoxhallarët të organizojnë seminare nëpër Turqi, Mal të Zi e Serbi (!), por të shërbejnë nëpër xhami!
Deri në momentin kur vjedhja nuk ishte bërë “praktikë sekrete”, BFI funksiononte. Kishte komunikim të përditshëm me besimtarët, kishte përgjegjësi, kishte një lloj frike morale dhe institucionale. Kishte edhe mbikëqyrje shtetërore. Dhe gjithçka, me të gjitha mangësitë, ecte. Por që nga momenti kur korrupsioni u normalizua, kur partizimi dhe politizimi hynë thellë në strukturat e BFI-së, kur edhe të parin e saj nisi ta caktojë pushteti politik, filloi mbrojtja e hajnisë, justifikimi i zhvatjes dhe heshtja përballë abuzimit.
Sot, organet e BFI-së dalin me çmime për secilin shërbim fetar, sikur të ishin kompani private. Sot për një lajmërim nga minarja se ka vdekur një mysliman, familjarët e tij duhet të paguajnë ekstra! Ndërkohë, myslimanët paguajnë shumëfish më tepër: përmes anëtarësisë, zeqatit, fitrit, e sidomos përmes çmimit marramendës të haxhit. Këtu lind pyetja thelbësore: për çfarë paguhet dy herë dhe tri herë i njëjti shërbim? Nëse besimtari tashmë e financon institucionin, pse trajtohet si klient që duhet të shtrydhet maksimalisht?
Në çdo shtet demokratik, edhe tregtia ka kufij. Ekziston një marzh fitimi i tolerueshëm. Përtej tij, fitimi quhet zhvatje dhe dënohet me ligj. Pse kjo logjikë ndalet te komunitetet fetare? Sa është fitimi i lejuar nga organizimi i haxhit për çdo haxhi? Sa para grumbullohen në total? Sa shkojnë realisht për shërbime hoteliere, transport, ushqim, taksa dhe detyrime ndaj palëve të treta? Dhe më e rëndësishmja: sa para mbeten, sa është dashur të mbeten dhe ku mbeten?
Nëse shuma që “duhet të mbetet” është e përcaktuar paraprakisht, çdo tejkalim i saj nuk është sukses menaxherial, por abuzim. Paratë ose janë vjedhur, ose janë grumbulluar pa të drejtë. Në të dy rastet, kemi të bëjmë me shkelje morale dhe financiare. Dhe kur kjo bëhet në emër të Zotit, kemi një nga format më të rënda të manipulimit: abuzimin me ndjenjat fetare të besimtarëve.
Shteti nuk duhet të përzihet në interpretimin e fesë, në rituale apo në praktikimin e besimit. Kjo është e shenjtë dhe e paprekshme. Por shteti ka obligim kushtetues dhe moral të mbrojë qytetarët nga zhvatja financiare, pavarësisht se kush e ushtron atë. Edhe nëse abuzuesit mbajnë çallma apo xhube. Ligji nuk njeh uniforma fetare, por vetëm përgjegjësi penale.
Në shtetet e tjera demokratike, komunitetet fetare i nënshtrohen kontrolleve financiare. Për çdo abuzim, sanksionohen. Me ndërhyrjen e shtetit në të tilla raste abuzive nuk rrënohet feja, por mbrohet besimtari. Sepse shteti është për qytetarët, jo për klanet e hajnave që pasurohen duke shkelur mbi devotshmërinë e njerëzve të thjeshtë.
Nëse shteti hesht, ai bëhet bashkëfajtor. Nëse institucionet mbyllin sytë, ato legjitimojnë zhvatjen. Dhe kur hajnia mbrohet me heshtje, ajo kthehet në sistem. Pikërisht aty ku besimi duhet të jetë më i pastër, lind kalbëzimi më i rrezikshëm.
Zoti nuk ka nevojë për avokatë që vjedhin në emrin e Tij. Myslimanët nuk kanë obligim të financojnë korrupsionin. Dhe shteti nuk ka asnjë justifikim për të mos qenë çekan mbi kokën e çdo abuzuesi, kushdo qoftë ai. Burimi i skandaleve financiare ka kohë që gurgullon pikërisht në BFI!

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com