Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe deputet i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj të ashtuquajturit Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i njohur në opinion si “Ligji i Karakamishevës”, i hartuar nga VMRO-DPMNE dhe i mbështetur nga koalicioni VLEN.

Sipas Ademit, ky ligj përbën regres të rëndë politik dhe etnik dhe cenon drejtpërdrejt parimet e barazisë dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, njofton TS

“Ky ligj nuk duhet votuar, por vajtuar. Ai përfaqëson kthim të hapur pas, në periudhën para vitit 2001, kur shqiptarët ishin pothuajse të padukshëm në administratën shtetërore”, thekson Ademi.

Ai nënvizon se ligjim nuk parasheh kuota etnike, duke rrezikuar seriozisht përfaqësimin real të shqiptarëve, nuk obligon institucionet të evidentojnë përkatësinë etnike gjatë punësimeve dhe avancimeve, duke hapur rrugë për diskriminim të legalizuar, nuk përmban asnjë mekanizëm sanksionues, çka e bën atë të pazbatueshëm dhe pa efekt real.

Ademi rikujton se e ashtuquajtura “politikë e cilësisë” para vitit 2001 është përdorur si justifikim për diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve, duke i përjashtuar ata nga institucionet shtetërore.

“Na u premtua avancim i balancuesit dhe rregullim ligjor, ndërkohë që ai tashmë ishte i rregulluar me ligj. Sot, në këtë draft, nuk ekziston asnjë zgjidhje që operacionalizon politikën afirmative të garantuar me Amendamentin VI të Kushtetutës”, deklaron Ademi.

Ai e cilëson këtë nismë si alarm kombëtar dhe u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që të distancohen qartë dhe publikisht nga, siç e quan ai, “një politikë e rrezikshme, regresive dhe thellësisht etnocentriste”.

“Ky është momenti për reagim. Askush nuk duhet të pranojë rikthimin e shqiptarëve në qytetarë të dorës së dytë”, përfundon reagimin e tij sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi.

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com