Shkup, 22 janar 2026 – Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuele Mediatike ka shprehur shqetësim serioz lidhur me etiketimet dhe sulmet e vazhdueshme publike nga ana e partisë politike LSDM, të drejtuara ndaj gazetarëve dhe mediave të caktuara informon Tetovasot.
Në reagimin e saj, Agjencia thekson se liria e shprehjes, pluralizmi mediatik dhe pavarësia redaktuese janë vlera themelore demokratike, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë aktorët shoqërorë, e veçanërisht nga subjektet politike.
Sipas Agjencisë, komunikimi publik, sidomos kur vjen nga partitë politike, duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të respektojë rolin dhe autonominë e mediave. Diskreditimi publik apo etiketimi i gazetarëve dhe mediave krijon atmosferë presioni, e minon dialogun publik dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë dhe integritetin profesional të gazetarëve.
“Mediat nuk guxojnë të trajtohen si kundërshtarë politikë, as të përfshihen në konfrontime partiake apo politike. Përkundrazi, ato duhet të kenë mundësi të ushtrojnë lirshëm, pa pengesa dhe pa presione rolin e tyre profesional, në interes të publikut dhe të proceseve demokratike”, thuhet më tej në reagim.
Agjencia u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të përmbahen nga retorika që kontribuon në polarizim, presion apo diskreditim të mediave dhe gazetarëve, dhe të respektojnë rolin e tyre kushtetues dhe profesional në shoqërinë demokratike.TS