Vazhdojnë përplasjet mes pushtetit dhe opozitës për ndikimin e botës serbe në vend. Partia opozitare LSDM ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski për ndikime nga Beogradi, pasi po vepron sipas urdhrave të presidentit serb Vuçiq, gjë që sipas tyre, e vë Maqedoninë e Veriut në rrezik regresi dhe izolimi. Një gjë të tillë sipas LSDM-së e konfirmojnë edhe raportime dhe analiza nga mediat evropiane dhe ndërkombëtare për ndikimin e jashtëm mbi vendimmarrjen politike të vendit. Pikërisht për këto çështje sipas LSDM-së zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar edhe zgjerim të listës së zezë.
“Mickoski nuk është një lider i pavarur, por një marionetë nën ndikim të drejtpërdrejtë nga Beogradi, gjë që e vë vendin tonë në rrezik regresi dhe izolimi nga Evropa. Kjo nuk është vetëm një akuzë e jona; këtë e konfirmojnë raportime dhe artikuj të shumtë të mediave evropiane dhe ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi presin emërimin e ambasadorëve të rinj, dhe pritet edhe zbatimi i një politike të re amerikane kundër krimit dhe korrupsionit, me sanksione për liderë të korruptuar. Zyrtarë amerikanë theksojnë zgjerimin e “listës së zezë” për politikanë dhe biznesmenë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar”, thonë nga LSDM.
Ndaj akuzave të opozitës ka reaguar partia në pushtet VMRO-DPMNE, sipas tyre, deklaratat dhe analizat e dërguara nga Beogradi, të shkruara nga ish-këshilltari i Zaevit, Bashanoviç, e bëjnë Venko Filipçen si opozitë me ndikim kryesisht në Serbi, dhe jo në Maqedoni. Nga partia në pushtet njoftojnë se nuk ndërhyn në çështjet politike të Serbisë dhe se prioriteti i kësaj partie mbetet gjithmonë interesi i qytetarëve të Maqedonisë.
“VMRO-DPMNE nuk ndërhyn në çështjet politike të Serbisë dhe për ne interesi i vetëm është interesi i qytetarëve maqedonas. Kur lakmia e Zaevit bashkohen me servilizmin e Filipçes, rezultati i një simbioze të tillë është ZaeFçe. Kur kjo simbiozë e re politike ZaeFçe shfaqet në skenën shoqërore në Maqedoni, LSDM e ka bërë veten masë dhe pjatë shërbimi për të gjitha forcat që duan të përfitojnë nga partia për interesat e tyre personale”, thonë nga VMRO-DMPNE.
Nga VMRO-DPMNE përfundojnë duke thënë se Venko me vizë të artë nga Dubai, biznese dhe llogari në Bullgari dhe mentorë politikë nga Serbia, me kujdestar Zaev, nuk mund të jetë e ardhmja e këtij shteti.