Këtë të mërkurë, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit, do të mblidhet pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Balluku”, ndërsa pritet që të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres.

Palët do të ballafaqohen në seancën e sotme, ku SPAK do të paraqesë prova të reja të siguruara nga kontrollet e kryera së fundmi, Gjykata Kushtetuese nuk mori dje asnjë vendim.

ADVERTISING

Sot pritej vendimi lidhur me ankimin e Kryeministrit Rama, për shpalljen si antikushtetues të vendimit të GJKKO që pezulloi nga detyra numrin dy të qeverisë, pasi pretendon se është ndërhyrje në punët e ekzekutivit.

Gjykata Kushtetuese, do të marrë më shumë kohë për çështjen “Balluku” pas ankimit të Kryeministrit Rama, lidhur me konfliktin e kompetencave mes tij dhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.

Çështja u shqyrtua dje në seancë plenare dhe nisur nga praktikat e mëparshme të Kushtetueses, pritej që dje anëtarët kushtetues të dilnin me vendim përfundimtar.

Anëtarët e Kushtetueses u mblodhën vetëm pak minuta për të diskutuar lidhur me këtë çështje, por nuk dolën me një vendim.

Disa nga anëtarët kanë pretenduar se iu duhet më shumë kohë për të dalë me një vendim, për shkak të kompleksitetit të çështjes.

Data dhe ora e mbledhjes së radhës nuk është bërë ende me dije, por me shumë mundësi vendimi do të merret javën e ardhshme, përderisa të enjten disa nga gjyqtarët kushtetues udhëtojnë jashtë vendit për vizitë zyrtare.

Mësohet se në dhomë këshillimi është kërkuar nga disa prej anëtarëve të Kushtetueses më shumë kohë për t’u shprehur qëndrimin e tyre për rastin në fjalë.

Por kjo shtyrje duket se ka zënë në befasi mazhorancën, e cila ka thirrur ditën e sotme në orën 12:00 mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku.

Kjo, pasi ata kanë deklaruar se presin të shprehet Gjykata Kushtetuese nëse masa e pezullimit për Ballukun është kushtetuese, përpara se të shprehen për ashpërsimin e masës së kërkuar nga SPAK-u.

Socialistët nuk pranuan të shqyrtojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit e Ballukut në Këshillin e Mandateve, deri sa Gjykata Kushtetuese të dilte me një vendim. Por mësohet se “Kushtetuesja” ka kërkuar më shumë kohë në vlerësimin e kësaj çështje.

Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve i drejtuar nga Niko Peleshi, do të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, apo njëjtë si Kushtetuesja do të kërkojnë më shumë kohë.

GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv.kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.

Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie.

Pas kërkesës së Kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga Kushtetuesja.

E pandehur për shkeljet në tenderin 190 mln euro të tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurorimi lidhur me ndërtimin e lotëve të Unazës së Madhe, SPAK ka dyshime se Balluku duke qenë në detyrë, rrezikon të prishë provat hetimore dhe të intimidojë dëshmitarët.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com