Duke u nisur nga thirrja publike e Bashkimit Demokratik për Integrim për bashkimin e partive politike që ndajnë të njëjtin vizion për përfaqësimin dinjitoz dhe të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sot u zhvillua një takim zyrtar mes Kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Evropiane, z. Arjanit Hoxha.
Takimi u zhvillua në frymë konstruktive dhe vullnet të ndërsjellë për bashkëpunim politik, me theks të veçantë në nevojën për unifikimin e faktorëve politikë shqiptarë rreth një platforme të përbashkët që garanton stabilitet, përfaqësim të fuqishëm institucional dhe avancim të proceseve euro-integruese të vendit.
Palët u dakorduan që në të ardhmen të funksionojnë si një subjekt i vetëm politik në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim si partia më e konsoliduar dhe e organizuar shqiptare në vend duke i bashkuar kapacitetet organizative, programore dhe njerëzore, në shërbim të interesit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Zyrtarizimi i këtij vendimi, si dhe detajet organizative dhe procedurale të integrimit, do të bëhen publike pas miratimit formal nga Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Të dyja palët shprehin bindjen se ky bashkim do të shërbejë si model i përgjegjësisë politike dhe i unitetit, në funksion të interesit qytetar dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.