Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të dijetarit dhe veprimtarit të njohur Jakup Asipi, duke theksuar se “para veprës heshtin fjalët”.

Jakup Asipi lindi më 2 shkurt 1951 në fshatin Sllupçan. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmin në Damask të Sirisë, ndërsa studimet universitare në Al-Az’har të Egjiptit. Studimet postdiplomike i vijoi në Bejrut të Libanit.

Gjatë viteve 1985–1990 shërbeu si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë, ku dha kontribut të çmuar në kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore dhe kombëtare. Në vitin 1990 u kthye në vendlindje, i vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të popullatës shqiptare, duke u angazhuar drejtpërdrejt për përmirësimin e saj.


Sipas Ahmetit, ligjëratat e Asipit shquheshin për përpikëri dhe guxim, çka e bëri atë të përballej edhe me kërcënime dhe marrje të shpeshta në pyetje nga policia maqedonase. Gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut, Jakup Asipi u shqua si një ndër strategët kryesorë në organizimin dhe përkrahjen e luftës, i bindur se vetëm përmes kryengritjes mund të arriheshin liritë dhe të drejtat e popullit.

Jakup Asipi ndërroi jetë më 7 janar 2006, si pasojë e një aksidenti rrugor në autostradën Shkup–Kumanovë. Përkujtimi i sotëm, sipas Ahmetit, është një nderim për figurën dhe veprën e tij në shërbim të fesë, kombit dhe lirisë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com