Ali Ahmeti: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha janë simbol i ndërgjegjes kombëtare. Ata ranë për të mos u harruar kurrë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, duke theksuar se ata nuk janë vetëm figura historike, por pjesë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Në një mesazh përkujtimor, Ahmeti vlerëson se Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha zgjodhën “rrugën e drejtë” dhe jo atë më të lehtën, duke u përballur me pushtuesin me vetëdije, guxim dhe përkushtim të plotë ndaj idealit të lirisë. Ai rikujton se rënia e tyre në Kodrën e Trimave i shndërroi në simbol të rezistencës shqiptare dhe të sakrificës pa kompromis, njofton TS.
Sipas Ahmetit, Mala dhe Berisha ishin më shumë se veprimtarë politikë, duke i cilësuar si mendje të ndritura dhe organizatorë të palëkundur, të cilët e jetuan idealin e tyre deri në fund. “Ata e dinin se liria ka çmim dhe nuk hezituan ta paguajnë atë me jetën e tyre,” thekson ai.
Kreu i BDI-së shpreh krenarinë personale që i kishte shokë dhe drejtues, duke nënvizuar se krenar është edhe kombi shqiptar për veprën e tyre. Sipas tij, trashëgimia e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës do të jetojë përherë si thirrje për dinjitet, qëndresë dhe dashuri të pakushtëzuar për atdheun.
“Lavdi e përjetshme Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës. Ata ranë për të mos u harruar kurrë,” përfundon mesazhin e tij Ali Ahmeti.
