Ali Ahmeti: U nda nga jeta nëna Rahime, simbol i qëndresës dhe veprimtarisë atdhetare
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar me dhembje dhe hidhërim për ndarjen nga jeta të nënës Rahime, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme të rezistencës dhe veprimtarisë ilegale atdhetare informon Tetovasot.
Në postimin e tij, Ahmeti thekson se shtëpia e nënës Rahime, te djemtë e saj Sahit dhe Arben, si dhe te motra Sevdije Krasniqi, ka qenë një nga bazat më të mëdha të aktivitetit ilegal patriotik, veçanërisht në fund të viteve ’80, në Obiliq.
“Shtëpia e nënës Rahime ishte bazë e madhe e aktivitetit ilegal patriotik. Në atë shtëpi janë zhvilluar aktivitete të mëdha të angazhimit aktiv për çlirimin nga zgjedha pushtuese serbe”, shkruan Ahmeti.
Ai rikujton se në këtë shtëpi janë zhvilluar veprimtari të rëndësishme të Lëvizjes, përfshirë edhe përgatitjen e shtypit ilegal, bashkë me figura që sot njihen si heronj të kombit, si Fadil Vata, Afrim Zhitia dhe shumë të tjerë.
Sipas Ahmetit, nëna Rahime ishte shembull i nënës shqiptare, e cila me dashuri, përkushtim dhe sakrificë priste dhe përcillte veprimtarët ilegalë, duke u dhënë bukë, strehë dhe mbrojtje, pa u lodhur asnjëherë.
“Ndarja e saj nga jeta është humbje e madhe. Dhembjen time e ndaj me djemtë dhe vajzat, nipat dhe mbesat për humbjen e saj”, thekson Ahmeti.
Në fund të reagimit, Ali Ahmeti shpreh respektin dhe mirënjohjen e thellë për kontributin e nënës Rahime, duke përmbyllur me fjalët:
“I qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë.”Tetovasot
Postimi i plote::
Me dhembje dhe hidhërim e kemi pritur lajmin për ndarjen nga jeta të nënës Rahime!
Në shtëpinë e nënës Rahime, te djemtë e saj, vëllezërit Sahit e Arben dhe motra Sevdije Krasniqi, janë bërë aktivitete të mëdha kombëtare, ilegale atdhetare. Shtëpia e nënës Rahime ka qenë bazë e madhe e aktivitetit ilegal patriotik. Shtëpia e saj në Obiliq ishte njëra nga bazat më të mëdha të fundviteve 1980.
Në atë shtëpi janë zhvilluar aktivitete të mëdha të veprimtarisë dhe të angazhimit aktiv në luftën për daljen nga zgjedha pushtuese serbe. Në shtëpinë e nënës Rahime kanë qëndruar shumë shokë e bashkëveprimtarë, të cilët janë pritur dhe janë përcjellë me dashuri të vërtetë të nënës shqiptare.
Në shtëpinë e nënës Rahime, bashkë me shokët tani heronj të kombit, si Fadil Vata, Afrim Zhitia e shumë të tjerë, kemi zhvilluar aktivitete të mëdha në drejtim të Lëvizjes dhe të përgatitjes së shtypit ilegal.
Nëna na ka dhënë bukë, na ka ruajtur dhe kurrë nuk është lodhur duke na shërbyer neve djemve që ishim të angazhuar në aktivitete ilegale atdhetare, politiko-patriotike të kohës.
Shpreh dhembjen time për ndarjen e saj nga jeta. Ndaj dhembjen me djemtë dhe vajzat, nipat dhe mbesat për humbjen e saj.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë.