Bashkim Aliu

Veprimtaria botuese e xhamive dhe imamëve shqiptarë në Zvicër paraqet dëshmi të angazhimit dhe përkushtimit të komunitetit musliman shqiptar në Zvicër në përgjithësi dhe intelektualëve muslimanë shqiptarë në veçanti, në avansimin e fjalës së shkruar shqipe në mërgatë si pjesë e pandashme e trungut intelektual fetar dhe patriotik kombëtar. Përzgjedhja e veprimtarisë botuese të qendrave islame shqiptare dhe imamëve në Zvicër, si një nga komunitetet fetare islame mirë të organizuara në mërgatë, respektivisht në Evropë, është një veprim i qëlluar, ngase komuniteti musliman shqiptar në Zvicër në përgjithësi dhe KMSHZ në veçanti, përbën komunitetin, gjegjësisht organizatën që në rrafshin e rilindjes fetare në mërgatën shqiptare islame në Evropë, nuk u fokusua vetëm në themelimin e institucioneve fetare, që pa dyshim paraqesin një nga nevojat imediate për mërgatën shqiptare të përkatësisë fetare islame, por u shtri edhe në segmentet e tjera të veprimtarisë fetare, kulturore, arsimore dhe kombëtare të kësaj mërgate në Evropë në përgjithësi, dhe të mërgatës shqiptare islame në Zvicër në veçanti. Në këtë kontekst duhet theksuar veprimtarinë publicistike, ku qendrat islame shqiptare në Zvicër dhe imamët u dalluan, si me botimin e veprave autoriale, ashtu edhe me përkthime.
Promovimi i veprimtarisë botuese të qendrave islame shqiptare në Zvicër si dhe i veprave të hoxhallarëve shqiptarë në mërgatë paraqet një dëshmi të veçantë të angazhimit të hoxhallarëve në mërgatë. Imamët shqiptarë në Zvicër, si dhe hoxhallarët e tjerë shqiptarë të cilët veprojnë në Perëndim, krahas angazhimit bazë në xhami: udhëheqjes së xhematit në namazet ditore, ligjërimit dhe zhvillimit të mësim-besimit, i kushtuan kujdes edhe fjalës së shkruar, si në drejtim të veprave autoriale, ashtu edhe atyre të përkthyera. Po ashtu, institucionet fetare, gjegjësisht xhamitë dhe KMSHZ si organizatë ombrellë e xhamive të themeluara nga shqiptarët në Zvicër, i kanë kushtuar vëmendje veprimtarisë botuese.
Duhet nënvizuar në veçanti se xhematlinj dhe xhami që veprojnë në Zvicër e kanë financuar botimin e disa librave me karakter fetar në vendlindje dhe në mërgatë, por jo vetëm, ngase mbështetje financiare është ofruar edhe për libra të historisë kombëtare, monografi, etj.
Për atë, mund të themi se mbështetja materiale për botimin e librave është e konsiderueshme nga xhematlinjtë dhe xhamitë e Zvicrës, dhe në fushën e veprimtarisë botuese kemi tre forma si paraqitet kjo mbështetje:
-Si mbështetës të pjesërishëm bashkë me donatorë të tjerë jashta Zvicrës.
-Si sponzor të vetëm të botimit të librit, që don të thotë se e kanë mbuluar materialisht komplet botimin. Kjo nuk nënkupton domosdo se xhematilinjtë dhe xhamia sponzoruese paraqitet edhe si botues.
– Botues të librit. Xhami të themeluara nga shqiptarët në Zvicër kanë bërë disa botime të cilat e mbajnë siglën e tyre, pra ato janë botuesi.

BOTIMET E XHAMIVE SHQIPTARE NË ZVICËR
-xhamitë anëtare të KMSHZ-së-

– Xhamia “Hëna e Re” Kreuzlingen

Libra të botuar nga Xhamia “Hëna e Re” Kreuzlingen:
1. “Korniza e nje strategjie kulturore“. Autor: Taha Xhabir al-Alwani. Përktheu nga anglishtja R. Neziri. Botuar në vitin 2003.
2. “Islami dhe muslimanet ne Perendim/Zvicer“. Autor: Rejhan Neziri. Botuar në vitin 2004.
3. “Islami – parimet dhe veçorite kryesore“. Autor: Hurshid Ahmed. Përktheu nga anglishtja R. Neziri. Libri është bëtuar në vitin 2004.
4. “Bazat e leximit te Kur‘anit – Texhvidi“. Autor: Abdurrahman Çetin. Përktheu nga turq. Rehan Neziri, 2006.
5. “Menyra praktike e faljes se namazit“. Autor: Rehan Neziri. Botuar n. vitin 2007.
6. “Rregullat e ezanit dhe te ikametit“. Autor: Rehan Neziri 2008.
7. “ Islami im – shkalla 1“, doracak per nxenes te mektebit. Autor: Rehan Neziri, 2013.
8. “ Islami im – shkalla 2“. Autor: Rehan Neziri, 2013.
9. “Te jesh musliman ne Zvicer, persiatje teologjike dhe sociologjike“. Autor: Rehan Neziri, 2018.
10. “Per nje familje te lumtur islame“, Rehan Neziri, 2018.

-Xhamia e Wilit (Bashkësia Islame Wil)

Libra të botuar nga Bashkësia Islame Wil:
1.”Doracak për mënyrën e kryerjes së haxhit”. Autor: Bekim Alimi. Botues: Bashkësia Islame Wil. Botuar në vitin 2011, Wil.
2.”Sure Kuranore me fotografi, ilustrime dhe audio”. Redaktor: Bekim Alimi. Botues: Xhamia Wil.
3.”25 pyetje mbi kurbanin”. Autor: Bekim Alimi. Botues: Xhamia Wil.
4.”25 pyetje mbi agjërimin”. Autor: Bekim Alimi. Botues: Xhamia Wil.
5.”Ebu Bekër Es-Siddiku-Jetëpershkrim”. Autor: Bekim Alimi. Botues: Xhamia Wil, 2005.
6.”Alfabeti Arab me ushtrimore dhe mundësi dëgjimi”. Autor: Bekim Alimi. Botues: Xhamia Wil, 2019.
7.”Islamischer Religionsuntericht an Schweizer Schulen (CAS)”. Autor. Bekim Alimi. Botues: Xhamia Wil, 2011. Libri është botuar në gjuhën gjermane.

Libra të sponzoruara nga Bashkësia Islame Wil:
1.”Muhamedi a.s., sikur ta shohim me sy”. Autor: Naser Ramadani.

-Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë

Libra të botuar nga Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë:
1.”Veçoritë e Muhamedit s.a.v.s.”. Redaktor: Sadush Tahiri. Botuar në vitin 2020, Shkup. Mbështetës i botimit: Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë.
2.”Vendimet dhe fetvatë e Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime”. Përkthyes: Bashkim Aliu. Botuar në vitin 2021, Prishtinë. Botues: Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë.
3.”Vendime të Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame”. Përkthyes: Bashkim Aliu. Botuar në vitin 2020, Shkup. Botues: Furkan ISM. Mbështetës i botimit: Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë.
4.”Muhamedi alejhis-selam, pishtari ndriçues”. Autor: Bashkim Aliu. Botuar në vitin 2021, Prishtinë. Botues: Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë.
5.”Enciklopedia e haditheve kudsij”. Autor: Muhamed Muteveli Sharavi. Përkthyes: Bashkim Aliu. Botuar në vitin 2021, Prishtinë. Botues: Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë.

Bashkësia Islame Regensdorf

Librat e botuara nga Bashkësia Islame Regensdorf:
1.“Vështrime kur’anore”. Autor: Zejd bin Muhamed Er-Rumanij. Përkthyes: Ferid Zeqiri. Botuar në vitin 2004

Libra të sponzoruar nga Bashkësia Islame Regensdorf:
1.”Feja e shqiptarit është musliman e të krishterë”. Autor: Feti Mehdiu. Botuar në vitin 2016 në Prishtinë.
2.”Si të mos pajtohemi”. Autor: Selman Aude. Botuar në vitin 2021, Shkup. Shtëpia botuese: Furkan ISM.
3.”Besimet krishtere dhe qëndrimi islam ndaj tyre”. Autor: Ferit Zeqiri. Botuar në vitin 2011, Shkup. Botim privat.
Imami i Bashkësisë Islame Shqiptare-Regensdorf, ma konfirmoi në mënyrë të shkruar se kjo qendër ka sponzoruar edhe disa botime të tjera, por që nuk figuron në to si sponzor.

-Qendra Islame Shqiptare Renens VD

Libra të sponzoruar nga Qendra Islame Shqiptare Renens VD:
1.”Hyrje në të drejtën penale islame”. Autor: Jusuf Zimeri. Botuar në vitin 2012, Shkup.
2.”Hafizët e rajonit të Kumanovës”. Autor: Enver Zeqiri. Botuar në vitin 2021, Kumanovë.
3.”Familja dhe edukata familjare e Muhamedit alejhi selam”. Autor: Besim Barbullushi. Botuar në vitin 2023, Kosovë.

-Xhamia “Dituria” në Gjenevë

Libra të sponzoruar nga Xhamia “Dituria” në Gjenevë:
1.”Faluni ashtu siç më shihni duke u falur”. Autor: Ibrahim Beqiri. Botuar në Ferizaj-Kosovë.
2.”364 tregime për fëmijën tuaj brenda 12 muajve të vitit”. Autor: Musli Vërbani. Botuar në Kaçanik-Kosovë.

-Xhamia e Bardhë në Aarburg

Libra të botuara nga Xhamia e Bardhë në Aarburg:
1.“Monumentet historike dhe islame në Medine”. Autor: Nehat Ismaili. Botuar në vitin 2013. Botues: Qendra Kulturore Shqiptaro-Zvicerane “Xhamia e Bardhë” Aarburg.
2.“Uji i Zemzemit mrekullitë dhe enigmat”. Autor: Ahmed bin Salim Baduljan.

Libra të sponzoruara nga Xhamia e Bardhë në Aarburg:
1.”Kalorësit e mirësisë”. Autor: Hamdi Nuhiju. Kumanovë.
2.”Islami dhe politika-përgjigje dyshimeve sekukariste”. Autor: Muhamed Amare. Botuar në vitin 2014, Kumanovë.

-Xhamia e Flumsit
Xhamia e Flumsit ka sponzoruar librin me titull: “Shqiptarët në rajonin e Sarganserlandit”, të autorëve Naser Ramadani dhe Vaxhid Sejdiu, i cili është botuar në vitin 2018.

-Bashkësia Islame Shqiptare “Ebu Hanife” në Grenchen
Bashkësia Islame Shqiptare “Ebu Hanife” në Grenchen të Kantonit të Solothurnit, në vitin 2021 e ka botuar monografinë me titull: “Xhamia Ebu Hanife në Grenhen”, të autorit Rexhep Ismaili.

-Xhamia “Al Shems” në Rebstein (SG)
Xhamia “Al Shems” në Rebstein (SG) e ka sponzoruar botimin e veprës kapitale të dijetarit të famshëm Ebu Hamid El Gazali “Ihjau ulumiddin”, botuar nga shtëpia botuese Furkan Ism- Shkup.

-Xhamia e Langenthalit (BE)
Xhamia e Langenthalit (BE) e ka sponzoruar librin “Ndarja e trashëgimisë ” të autorit Besim Nuzi.

-Xhamia “El Hidaje” St.Gallen

Librat e botuara nga Xhamia “El Hidaje” St.Gallen:
1.”Porosi kuranore”. Autor: Marmaduke M. Pikthal. Përktheu në gjuhën shqipe: Feim Dragusha). Botues: Xhamia “El-Hidaje”, St.Gallen- Zvicër. Botuar në vitin 2010.

2.”Kurani në jetën tonë të përditshme”. Autor: Haxhah Liza Abdullah. Përktheu nga gjuha angleze Feim Dragusha. Botues: Xhamia “El-Hidaje”, St.Gallen- Zvicër. Botuar në vitin 2010.

3.”400 këshilla islame”. Autor: Ahmed Izuddin El-Bejanuni. Përktheu nga gjuha arabe në gjuhën shqipe: Feim Dragusha. Botues: Xhamia “El-Hidaje”, St.Gallen- Zvicër. Botuar në vitin 2010.

4.”Përgjigje jomuslimanëve në pyetjet më të shpeshta për islamin”. Autor: Dr. Zakir Naik. Përktheu nga gjuha angleze në gjuhën shqipe: Botues: Xhamia “El-Hidaje”, St.Gallen- Zvicër. Botuar në vitin 2010.

Xhamia “El Hidaje” në St. Gallen e ka botuar edhe një libër në gjuhën gjermane, edhe atë: “Antworten an nicht-muslime zu allgemeinen fragen über den islam”. Autor: Dr. Zakir Naik. Përktheu nga gjuha angleze në gjuhen gjermane: Feim Dragusha. Botues: Xhamia El-Hidaje, St. Gallen-Zvicer, Prill, 2011.

-Xhamia “Xheneti” St.Gallen

Librat e botuara nga Xhamia “Xheneti” St.Gallen :
1.”Bashkëbisedim anglisht–shqip”. Autor: Feim Dragusha. Botues: Paradies Moschee, St. Gallen-Zvicer. Botuar në vitin 2012.
2.”Raport vjetor për themelimin e xhamisë “xheneti” korrik 2012 – korrik 2013“. Redaktor: Feim Dragusha. Botues: Verein Paradies Moschee, St. Gallen. Botuar në vitin: 2013.
3.”Vjetari i xhamisë “xheneti” st.gallen –zvicër korrik 2013-dhjetor 2014”. Autor: Feim Dragusha. Botues: Xhamia “Xheneti”, St.Gallen. Botuar në vitin 2016.

Xhamia „Xheneti“ në St.Gallen ka botuar edhe dy libra tjerë në në gjuhë tjera:

1.”Informationen über das leben in der moschee in den jahren 2009-2011” (Të dhëna rreth jetës në xhaminë El-Hidaje përgjatë viteve 2009-2011). Përmbledhje artikujsh dhe intervistash në gjuhën gjermane. Botues: Xhamia “Xheneti”, St. Gallen – Zvicër, 2012.
2.”Lëvizja ‘Darul Erkam’ në Singapur” (libri është publikuar në gjuhën arabe). Autor: Feim Dragusha. Botues: Verein Paradies Moschee, St. Gallen. Botuar në vitin: 2012.

-Xhamia e Fondacionit të Rinisë Islame në Cyrih

Xhamia e Fondacionit të Rinisë Islame në Cyrih është xhamia që ka publikuar më shumë botime në gjuhën shqipe nga xhamitë e mërgatës shqiptare muslimane në Perëndim në përgjithësi dhe në Zvicër në veçanti. Kjo xhami ka botuar 40 libra, disa prej të cilave janë shpërndarë falas në Zvicër dhe janë botuar në tirazh prej tetë mijë kopjesh. Sipas përgjegjësve të kësaj xhamie, botimet e kësaj xhamie i tejkalojnë 40 botime, por marrë parasysh se disa botime janë shumë herët, në fillim të themelimit të xhamisë, nuk i kanë në evidencë.
Disa nga librat e botuar na Fondacioni i Rinisë Islame në Cyrih:
1.”Pishtari ndriçues-version i shkurtuar i tefsirit të Ibn Kethirit (tetë vëllime)”.
2.”Fikhu Hanefi” (katër vëllime). Autor: Abdulhamid Mahmud Tuhmaz.
3.”Mjekësia e Pejgamberit alejhi selam”. Autor: Ibn Kajjim El Xheuzijje.
4.”Bazat e thirrjes islame”. Autor: Abdul Kerim Zejdan.

Kur jemi te botimet e xhamive, më duhet të theksoj në mënyrë të veçantë botimet vijuese:
-Nga botimet e Fondacionit të Rinisë Islame, themelues i xhamisë së Seebachut në Cyrih, do ta theksoja veprën kapitale: Tefsirin e Ibn Kethirit në tetë vëllime si dhe Fikhun Hanefi të autorit Abdulhamid Mahmud Tuhmaz në katër vëllime.
-Botimin e veprës kapitale të dijetarit të famshëm Ebu Hamid El Gazali: Ihjau ulumiddin. Botimin e kësaj vepre kapitale e ka sponzoruar Xhamia e Rebsteinit, megjithëse botues shënohet Furkan Ism- Shkup. Kjo dukuri i ka ndjekur botimet e disa xhamive në Zvicër. Edhe pse xhamia ka bërë financimin e plotë të botimit, botues figuron një shtëpi botuese, apo botim privat, ndërkaq xhamia figuron vetëm si sponzor. Xhamitë që bëjnë botime do të duhej të ishin të vëmendshme në këtë drejtim, në veçanti ato që mbulojnë botimin e veprave kapitale.
– Bashkësia Islame Shqiptare “Ebu Hanife” në Grenchen të Kantonit të Solothurnit, në vitin 2021 e ka botuar monografinë me titull: “Xhamia Ebu Hanife në Grenhen”, të autorit Rexhep Ismaili. E theksuam këtë libër ngase është i një rëndësie të veçantë për historikun e xhamive të themeluara nga shqiptarët në Zvicër- me çka formohet arkiv i pasur dhe i rëndësishëm për studiuesit e jetës fetare në Zvicër në përgjithësi, si dhe jetës fetare të komunitetit musliman shqiptar dhe xhamive të themeluara nga mërgata shqiptare në Zvicër në veçanti. Libri jep një pasqyrë të xhamisë Ebu Hanife nga themelimi e deri në ditët e sotme. Flet për zanafillën e kësaj xhamie, etapat e zhvillimit të saj, ndërtimin dhe sfidat gjatë ndërtimit, ecurinë e ndërtimit, strukturën udhëheqëse, aktivitetet, hapësirat e xhamisë, etj. Edhe xhamitë e tjera do të duhej të punojnë në këtë drejtim, ngase në këtë formë ne lëmë arkiv për xhamitë e themeluara nga shqiptarët në Zvicër, si dhe për veprimtarinë fetare, kulturore dhe sociale të komunitetit musliman shqiptar në Zvicër dhe në Perëndim. Kur jepen me qindra mijë franga, apo edhe mlijona për ndërtimin e një xhamie, ia vlenë që të jepen disa mijëra franga edhe për vepra të këtilla me vlerë historike.
-Xhamia e Flumsit ka sponzoruar librin me titull: “ Shqiptarët në rajonin e Sarganserlandit”, të autorëve Naser Ramadani dhe Vazhid Sejdiu, i cili është botuar në vitin 2018. Ky libër është i rëndësishëm për historikun dhe jetën e mërgatës shqiptare në regjionin e Sarganserlandit, si dhe veprimtarinë e xhamisë së themeluar nga shqiptarët në Flums, të shkollës shqipe dhe të shoqatës bashkimi. Edhe ky është një libër që meriton të theksohet ngase ka folur gjërësisht për xhaminë, shkollën shqipe dhe shoqatën “Bashkimi”. Jepen detaje për strukturën e organizimit të këtyre tre institucioneve, aktivitetet dhe rolin e tyre për jetën fetare, kulturore dhe arsimore të komunitetit shqiptar në Sarganserland. Libri flet edhe për historinë e ardhjes së shqiptarëve në këtë regjion.
-Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë, ka botuar 5 tituj. Ajo që duhet theksuar për këtë qendër është botimi i buletinit vjetor që i përfshinë aktivitetet e kësaj qendre brenda vitit. Ky buletin paraqet një materje të pasur për studiuesit e jetës fetare të komunitetit musliman shqiptar në Zvicër, pasi përshkruhen të gjitha aktivitetet me infromata të detajuara.
Këtu duhet nënvizuar se të gjitha xhamitë prezantojnë raporte të detajuara të aktiviteteve të tyre para xhematit në kuvendet vjetore që mbahen me anëtarët, dhe këto raporte publikohen në forma të ndryshme adekuate për xhematin dhe xhaminë përkatëse, por ajo që e dallon Qendrën për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë është botimi kualitativ i këtyre raporteve, të punuara dhe të sistemuara në mënyrë profesionale, si dhe të shoqëruara me një parathënie nga personalitete të ndryshme jashtë anëtarëve të xhamisë, të cilët në ndonjë mënyrë kanë marrëdhënie me këtë qendër dhe janë pjesëmarrës në ndonjë nga aktivitetet e saj.

KOMUNITETI MUSLIMAN SHQIPTAR NË ZVICËR (KMSHZ)
-KMSHZ, organizata ombrellë e xhamive shqiptare në Zvicër, nuk e ka lënë pas dore edhe veprimtarinë botuese. Në veçanti është fokusuar në botimin e librave që paraqesin material pune për zhvillimin e mësim-besimit nëpër xhami, siç është libri për mësimin e shkronjave të alfabetit të Kur’anit “Shkronjat arabe”. Po ashtu, i ka botuar edhe titujt vijues:
-Ekstremizmi në emër të Islamit, i botuar në vitin 2018.
-Pandemia Kovid-19 në agjendën e organizatave islame- Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër si shembull.
-Festimi i Mevludit sherif- Autor: Sejjid Muhamed ibn Alevi El Maliki el Hasenij. Përkthyes Enes Koshi. Botuar në vitin 2021.
-Rregullat e Texhvidit për fillestarë- Autor: Jahja El Gauthani. Përkthyes: Enes Koshi. Botuar në vitin 2021.

“Ekstremizmi në emër të Islamit” është një vepër mjaft e rëndësishme për të ravijëzuar diskursin dhe filozofinë religjioze te imamët shqiptarë në Zvicër. Libri erdhi si nevojë e kohës, pasi midis viteve 2014-2016 u intensifikua tejmase dukuria e ikjes së shumë të rinjve muslimanë nga vendet evopiane, e në mesin e tyre edhe një numër jo i vogël i të rinjve shqiptarë, në vatrat e luftës në Siri, Irak, e gjetiu, me pretendim se po e mbështesin shtetin islam. Por në të njejtën kohë, ky libër erdhi edhe si obligim parimor për ta promovuar rrugën autentike islame, të mbështetur në argumente të qëndrueshme, si dhe për t’i demaskuar interpretimet e shtrembëruara të cilat gjenerojnë fetarësi jo kredibile dhe jo autentike, e bile edhe skandaloze me pasoja shqetësuese për imaxhin e muslimanëve dhe të islamit si fe në opinionin publik në botë.
“Për një vetëdijësim më të mirë dhe për t’iu shmangur shtresimeve dhe drejtimeve të shrembëruara të muslimanëve shqiptarë këtu në Zvicër, Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër, mori përsipër të organizojë disa seminare me të rinjtë e xhemateve shqiptare, ku realizoi tre takime në tri xhami, gjegjësisht në Xhaminë e Bardhë në Aarburg, në Xhaminë e Cyrihut dhe në xhaminë Hëna e Re në Kreuzlingen. me ç’rast morën pjesë një numër i konsiderueshëm i të rinjve. Pas mbarimit me sukses të këtyre të këtyre seminareve, kryesia e asaj kohe e UBISHZ vendosi që kumtesat në fjalë t’i botojë në një libër të veçantë…Në këtë libër bëhet një hulumtim, fillimisht rreth historikut të qasjeve ekstremiste dhe identifikimit të faktorëve të cilët ndikojnë në sjelljet e skajshme të individëve, në rastin tonë të ca grupeve muslimane, e që idenë dhe veprimtarinë e ushtrojnë përmes formave të dhunshme të radikalizmit dhe ekstremizmit…Autorët e librit përpiqen të ofrojnë zgjidhje dhe pikëpamje objektive, reale, të kënaqshme dhe të arsyeshme në lidhje me atë se çfarë mund të ndikojë në zvogëlimin dhe mënjanimin e eskalimit të ekstremizmit në shoqërinë tonë në përgjithësi, e sidomos te të rinjtë shqiptarë muslimanë në veçanti, ku vend qëndror zen kuptimi i drejtë i teksteve fetare. Për një veprim human në parandalimin e dukurive devijante të të rinjve tanë, meritë të veçantë kanë imamët dhe kryesitë e xhamive tona, që veprojnë në kuadët të KMSHZ-së, të cilët me punën dhe kontributin e tyre janë munduar t’i ruajnë vlerat burimore, tradicionale dhe kulturore të trashëgimisë sonë islame shqiptare, vlera këto që, assesi nuk janë identifikuar me elemente të dhunës, skajshmërive dhe të ekstremizmit…”. Libri meriton të botohet dhe të vazhdojë të promovohet si brenda Zvicrës ashtue dhe jashtë saj.

Thënë përmbledhtas: Nga 60 xhami sa janë akutalisht anëtare të KMSHZ-së, 13 prej tyre kanë qenë të angazhuara në veprimtari botuese, qoftë si botues apo si sponzorues të librave. Me këtë rast duhet theksuar se anëtarë edhe nga xhami tjera pos këtyre 13 kanë kontribuar në botimin e librave, por nuk janë evidentuar si sponzorë ose botues. Deri më tash kemi 72 tituj të botuar dhe 13 tituj të sponzoruar nga xhamitë e themeluara nga shqiptarët në mërgatë me një tirazh prej disa mijëra ekzemplarësh. Shto këtyre edhe 5 tituj nga KMSHZ, rezulton se kemi 90 tituj të botuar.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com