Rami Mislimi

Alternativa e Afrim Gashit, Zeqirja Ibrahimit dhe së fundmi e Bekim Salit, edhe pse ka ndryshuar liderët, mbetet partia me më shumë pushtet në qeverinë VMRO-VLEN. Ndarja e “kolaçit” qeveritar në kuadër të VLEN-it, siç duket, po tjetërsohet dhe në këtë rast Alternativa po del të jetë partia që ka përfituar më shumë nga Lëvizja BESA e Bilall Kasamit dhe LD-ja e Izet Mexhitit.
Për t’ua rikujtuar, Alternativa ka postin më të madh shtetëror, postin e kryetarit të Parlamentit, ku në krye është Afrim Gashi, vazhdon me postin e dytë më të madh, atë të zëvendëskryeministrit të parë, që është Bekim Sali, vazhdon me postin tjetër që është ministër për Eurointegrime, që po ashtu është Bekim Sali, vazhdon me postin tjetër që është Avokati i Popullit, Avokati i Shtetit, zëvendësministra e drejtorë në drejtori të fuqishme, deputetë dhe kryetarë të dy komunave.
Nëse e bëjmë bashkë të gjithë partinë Alternativa, diku lart-poshtë mund të ketë 1.000–1.500 votues në nivel nacional, ndërsa ka pushtet më shumë se sa të dyja bashkë BESA–LD.
Në lidhje me këtë atëherë shtrohet pyetja: “A ua nguli Alternativa Bilallit dhe Izetit?”
Tani të rikthehemi te LD-ja e Izet Mexhitit. Izeri nga një figurë kryesore e VLEN-it si ministër dhe zëvendëskryeministër, ra në nivel lokal që të merret vetëm me kanalizime e ndërtime pa leje. Figura e Mexhitit dalëngadalë po shuhet dhe është rikthyer 20 vite pas, kur filloi në krye të komunës si një anonim i Çairit. Sot Mexhiti si emër as nuk përmendet e as ka fuqi shtetërore dhe po shkon drejt një harrese të një lideri i cili i doli ballë liderit më të fuqishëm, Ali Ahmetit.
Mexhiti tani është nën Bekim Salin dhe nën Alternativën. Nëse nuk do të ketë zgjedhje, Bekim Sali do të dominojë në skenën politike shqiptare në nivel nacional, ndërsa Mexhiti do të mbetet si një “sherif” lokal që do të ecë rrugëve të paasfaltuara të Çairit duke ndjekur kush do të ndërtojë pa leje.
Mexhiti po ashtu do të mbahet mend vetëm si një lider i cili doli nga BDI-ja dhe u rikthye pas, duke bërë vetëvrasje në skenën politike si një shpresë e re për një lider të ri. Nga ana tjetër, edhe pse Mexhiti ka 3 komuna dhe ka më shumë vota se Alternativa, nuk ka shumë pushtet sa Alternativa.
Lëvizja BESA sot mund të quhet motori kryesor i VLEN-it, në krye me Bilall Kasamin dhe dirigjim të Adnan Azizit. Një parti e cila për pak vite arriti të sigurojë gjithë Pollogun dhe të fitojë gati katër komuna të fuqishme, duke e mposhtur edhe BDI-në në disa bastione.
Sot Lëvizja BESA e Bilall Kasamit në pushtetin qendror është e barabartë me ZERO. Edhe pse është partia e parë që ka më shumë vota si koalicion VLEN, ajo ka vetëm një gjysmë ministrie me asnjë pushtet – Besar Durmishin. Një ministri e cila merret kryekëput me “pazarin e burrave dhe grave”, pa asnjë ingerencë tjetër.
Po si arriti që Alternativa të jetë partia më e fuqishme, e që nuk ka vota, dhe si BESA të jetë partia me më shumë vota e me pak pushtet?
Kjo është një mjeshtëri e Afrim Gashit, i cili ka “allesh-veresh” me kryeministrin dhe, duke qëndruar i heshtur, “ua nguli” BESËS dhe LD-së.
E tani, nëse nesër do të ketë zgjedhje, a do të ndahen pozicionet sipas marrëveshjes apo sipas fuqisë së votës?
Nëse shkon sipas marrëveshjes, i bie që katër parti nga 25%, ose katër parti nga 20% dhe nga 10% Bekim Fazliu dhe Bekim Qoku?
Nëse do të ishte ndarja sipas votës dhe fuqisë në popull, pa hile, do të ishte: Lëvizja BESA 40%, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit 30%, nga 10% Alternativa dhe ASH-ja e Arben Fetahut dhe nga 5% Bekim Fazliu dhe Bekim Qoku.
Kjo do të ishte ndarje “hakikat”, pa i bërë hile asnjë lideri e asnjë partie.
Mund të mos pajtoheni, por realiteti duhet të thuhet!

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com