Arben Fetai: Gazetaria që nuk frikësohet nga e vërteta është themeli i shtetit, jemi në anën e Liridona Vejselit
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka dalë me një reagim të fuqishëm në mbrojtje të lirisë së medias dhe integritetit profesional, duke u rreshtuar hapur në krah të gazetares hulumtuese Liridona Vejseli.
Përmes një deklarate publike, Fetai theksoi se gazetaria që nuk frikësohet nga e vërteta përbën themelin e çdo shoqërie që synon përparimin, duke vlerësuar lart ata gazetarë që nuk qëndrojnë në hije, por guxojnë të hulumtojnë dhe të vënë gishtin aty ku të tjerët heshtin. Ai sqaroi se ligji është i qartë në mbrojtjen e raportimit të bazuar në fakte, dokumente dhe në interesin publik, duke nënvizuar se një gazetari e tillë e bën shtetin më të ndershëm dhe institucionet shumë më të përgjegjshme para qytetarëve.
Duke u ndalur te rasti konkret, Fetai e cilësoi Liridona Vejselin si pjesë të vijës së parë të gazetarisë, duke e quajtur qëndresën e saj të pashoq dhe profesionalizmin e saj të pakontestueshëm. “Ne jemi në anën e gazetarëve që punojnë me përgjegjësi dhe në anën e Liridonës sigurisht, e cila ka ushtruar detyrën e saj me profesionalizëm të pakontestueshëm,” përfundoi zëvendëskryeministri Fetai, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje përballë presioneve që synojnë të heshtin zërin e lirë.
iQOS