Arbër Ademi: Liria e medias nuk mund të kufizohet me presione, mbështetje gazetares Liridona Vejseli kundër dënimit penal
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar lidhur me dënimin penal të gazetares Liridona Vejseli, duke e cilësuar lirinë e shprehjes si shtyllë themelore të demokracisë.
Në një qëndrim që vë theksin te standardet ndërkombëtare, Ademi deklaroi se raportimi për personat publikë është pjesë e rolit kritik të medias.
”Gazetarët luajnë një rol të pazëvendësueshëm në informimin e qytetarëve. Është jetike garantimi i standardeve evropiane për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve nga presionet që mund të kufizojnë ushtrimin e profesionit të tyre,” u shpreh Ademi.
Ademi nënvizoi se, ndonëse pavarësia e gjyqësorit duhet respektuar, ajo nuk mund të përdoret si mjet për të cenuar të drejtën e informimit mbi çështjet me interes publik.
Ky reagim vjen pas dënimit të gazetares nga Gjykata e Gostivarit për shkak të identifikimit të një gjyqtari, veprim ky që mbrohet nga Neni 78 i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili parashikon përjashtime të qarta për qëllime gazetareske.