Urim Saliu
Sistemi ia vodhi krenarinë një mësuesi. Ia mori kompetencat, ia mori gjithçka dhe e la të vetëm përballë moshave delikate që nuk kanë më frikë as nga prindërit, as nga shoqëria. Mësuesi shkoi e u arratis drejt çmendurisë. Po si të mos ndodhë kjo, kur shumë nxënës adoleshentë sot çantat i kanë të mbushura me marihuanë, cigare, mjete të ftohta dhe, po t’i qortosh, mësuesi “bulizohet”, shpallet fajtor, linçohet publikisht.
Mësuesi i gjorë, me paga qesharake, sheh se si milionerë bëhen injorantët, ndërsa ai numëron ditët deri në fund të muajit. Ai sheh nxënësin përballë që i nxin gomat e makinës së re, të blerë pa djersë e pa dhimbje, ndërsa vetura e tij e vjetër numëron çastet e fundit të “jetës”. Kontrasti është therës, poshtërues, i përditshëm.
Ai mësimdhënës që po shkon drejt çmendurisë është zhveshur nga çdo e drejtë. Nga çdo autoritet. Nga çdo dinjitet. E vetmja e drejtë që i ka mbetur është të mbarojë vitet deri në pension, si një dënim i heshtur. Dhe edhe kjo shpesh i mohohet, sepse sapo del në pension, “mbreti i botës” vdekja e thërret shpejt. Vitet e mësimdhënies janë të egra, brutale, të mbushura me stres, presion dhe përbuzje. Kush nuk e ka kapur kurrë ditarin në dorë, nuk e di këtë.
Shto këtu edhe mizerinë e ditëve që i jeton sot një mësues: mëngjeset që nisin me ankth e jo me shpresë, kafenë e hidhur që nuk e pi për qejf, por për të mbajtur sytë hapur, korridoret e ftohta ku respektohet gjithçka përveç dijes. Jeton në një kohë ku “arsimi” dhe “vlera” përmenden shpesh, por respektohen rrallë. Ku mësuesi është gjithmonë fajtor: nëse nxënësi dështon, nëse prindi ankohet, nëse sistemi shembet.
Ai endet mes formularësh, platformash, reformash boshe dhe premtimesh elektorale që ndryshojnë çdo katër vjet, por kurrë realitetin e klasës. I kërkohet të jetë psikolog, prind, polic e edukator moral, ndërsa i mohohet e drejta themelore për të qenë autoritet. I kërkohet të ndërtojë të ardhmen, ndërkohë që vetë trajtohet si relike e së shkuarës.
Dhe kështu, dita e mësuesit mbyllet pa duartrokitje, pa mirënjohje, vetëm me lodhje kronike dhe një pyetje që e bren nga brenda: a ia vlejti? Por prapë, të nesërmen ai hap derën e klasës. Sepse dikur besoi te dija. Dhe ende, diku thellë, shpreson se ajo do ta shpëtojë këtë shoqëri edhe pse shoqëria prej kohësh e ka braktisur atë.