Arsenal dhe Liverpool kanë mbyllur në barazim 0-0 përballjen e javës së 21-të të Ligës Premier, në një ndeshje me intensitet të lartë dhe rivalitet të fortë, por pa gola.
Vendasit e Mikel Artetës u shfaqën më aktivë në pjesën e parë, duke kontrolluar lojën dhe duke krijuar raste të rrezikshme. Bukayo Saka dhe Declan Rice ishin ndër më kërcënuesit, por portieri Alisson u tregua vendimtar, veçanërisht në fundin e pjesës së parë kur ndali një goditje të fuqishme nga Rice.
Arsenali kërkoi të çante mbrojtjen e Liverpoolit edhe përmes krahëve, me Timber dhe Trossard, por linja defensive e mysafirëve qëndroi e organizuar.
Liverpooli pati momentet e tij, sidomos në minutën e 27-të, kur Conor Bradley goditi shtyllën, duke qenë rasti më i mirë për skuadrën e Arne Slot. Szoboszlai tentoi disa herë nga distanca dhe nga goditjet standarde, por pa sukses.
Pjesa e dytë u zhvillua kryesisht në mesfushë, me shumë duele fizike dhe pak hapësira për raste të pastra shënimi. Të dy trajnerët tentuan të ndryshonin rrjedhën e lojës me zëvendësime, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë barazim, Arsenali vazhdon të kryesojë tabelën me 49 pikë, ndërsa Liverpooli mbetet në vendin e katërt me 35 pikë.