Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili pas takimit të liderëve paralajmëroi se do të kërkojë takime “kokë më kokë” me kryeministrin Hristijan Mickoski për të diskutuar disa çështje të rëndësishme informon Tetovasot.
Në një reagim publik në rrjetin social Facebook, Azizi e akuzoi Ahmetin për mungesë guximi për të debatuar hapur në tryezën e përbashkët politike, duke e cilësuar prirjen e tij për takime private si vazhdimësi të një praktike të vjetër politike.
“Patriot në fushatë, vardisës nga natyra… Nga keksat e ‘buza me tamël’, te takimet tet-a-tet. Kështu kur nuk ke guxim të flasësh në tryezë të burrave, por kërkon takime ‘private’, si gjithmonë, për t’iu vardisur pushtetit në kurriz të interesave të shqiptarëve”, ka shkruar Azizi.
Reagimi i deputetit të VLEN-it vjen në një kohë tensionesh të shtuara politike, pas takimit të liderëve të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski, ku janë diskutuar çështje të rëndësishme politike dhe institucionale.