Pas fitores spektakolare 5-0 të Barcelonës ndaj Athletic Bilbaos, ishte radha e Real Madridit të siguronte biletën për finalen e Superkupës së Spanjës. “Los Blancos” mposhtën 2-1 Atletico Madridin në gjysmëfinalen e dytë, duke rezervuar edhe një herë përballjen e madhe të El Clasicos për trofeun.

Edhe pse pa Kylian Mbappé, skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso tregoi karakter dhe cilësi. Reali zhbllokoi ndeshjen që në minutat e para me një perlë të Federico Valverdes, përpara se Rodrygo të dyfishonte avantazhin në pjesën e dytë. Goli i Alexander Sørloth nuk mjaftoi për bardhekuqtë, të cilët u ndalën në prag të finales.

NDESHJA
Gjysmëfinalja e dytë e Superkupës së Spanjës, derbi madrilen mes Real Madridit dhe Atletico Madridit, u zhvillua në “King Abdullah Sports City” në Jeddah të Arabisë Saudite.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe Reali goditi menjëherë. Pas vetëm 1 minute e 16 sekondash lojë, Federico Valverde mposhti Jan Oblakun me një goditje të fuqishme me të djathtën nga distanca, duke i dhënë epërsinë madrilenëve.

Atletico reagoi dhe pati mundësitë e veta, por Thibaut Courtois u shfaq vendimtar. Portieri belg ndali një goditje me kokë të Sørloth në minutën e 33-të, ndërsa norvegjezi shpërdoroi edhe një rast tjetër të artë pak çaste më vonë.

Në minutën e 55-të, Real Madridi gjeti golin e qetësisë: Rodrygo përfitoi nga një asist i shkëlqyer i Valverdes dhe mposhti mbrojtjen kundërshtare për rezultatin 2-0.

Atletico nuk u dorëzua dhe tre minuta më pas ngushtoi shifrat. Sørloth realizoi këtë herë me kokë, duke rikthyer shpresat për ekipin e Simeones. Megjithatë, Reali menaxhoi avantazhin, me Courtois që i mohoi Griezmannit golin e barazimit në minutën e 83-të, ndërsa tentativa e Llorentes në minutën e 88-të përfundoi shumë pranë shtyllës.

Me këtë fitore, Real Madridi siguron finalen e Superkupës së Spanjës, që do të luhet të dielën, më 11 janar, po në Arabinë Saudite. Përballë do të ketë Barcelonën, e cila një ditë më parë dominoi Athletic Bilbaon me rezultatin 5-0.

Për të katërtin vit radhazi, Superkupa e Spanjës do të vendoset nga El Clasico.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com